Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot takimi i parë i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë dhe Sekretariatit Teknik, që do të funksionojnë pranë komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Në takimin e organizuar nga kryetari i komisionit të posaçëm, Fatmir Xhafaj, morën pjesë rreth 60 ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura, organizatave dhe shoqërisë civile, botës akademike, përfaqësues të komunitetit të biznesit, etj., të cilët do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni.
Xhafaj falenderoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe përfshirjen në proces, si dhe i njohu më konkretisht me qëllimin, objektivat dhe fazat përkatëse nëpër të cilat do të kalojë puna e komisionit të posaçëm.
Procesi është i qendërzuar dhe i mbështetur në kontributin dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të ekspertëve për hartimin e dokumentit analitik/analizës; Planit Kombëtar të Veprimit bazuar mbi gjetjet e analizës, si dhe propozimin e zgjidhjeve dhe masave përkatëse legjislative e institucionale.
Sot filloi faza e I-të e procesit të Reformës që do të shërbej për hartimin e Dokumentit Analitik/analizës për të tre fushat.
Hartimi i këtij dokumenti do të mbështetet kryesisht në gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “screening” të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, udhërrëfyesit e hartuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës”, “Reformën në administratën publike”, Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, si dhe raportet ndërkombëtare dhe ato të dërguara nga organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në vendin tonë.
I gjithë dokumentacioni është vendosur në dispozicion të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, të ndarë në 3 nëngrupe: mirëqëverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit.
Ata do të punojnë në mënyrë të pavarur dhe autonome në gjithë këtë proces i cili në vazhdim do të monitorohet dhe asistohet nga partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë muajit gusht grupet e ekspertëve do të angazhohen për njohjen, skanimin dhe analizën e dokumentacionit të vënë në dispozicion duke identifikuar vlerësimet, gjetjet, problematikat dhe rekomandimet përkatëse për të 3 fushat objekt i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar.