Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha në kongresin e PS-së se brenda këtij viti, përfundon aeroporti ndërkombëtar i Vlorës.
Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se ky aeroport do të presë udhëtarët e parë në vitin 2025.
“Po punojmë për projektin e hekurudhës Durrës- Prishtinë. Pas pak ditësh do të çelet gara për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.
Në fund të vitit mbyllen punimet e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës dhe do të bëhet operacional në gjysmën e dytë të vitit 2025 për të pritur udhëtarët e parë. Në 2030 do të bëjmë realitet 4 aeroporte.
Ndërkohë portet turistike të Durrësit e Vlorës janë në kantier ndërtimi do të pasohen me portin e Sarandës dhe Lezhës ku kemi hasur vështirësi me pronësinë. Zotohemi që në 2030 do të bëjmë Shqipërinë eksportuese neto të energjisë. Së shpejti hapet gara për segmentin Milot Balldren e do të kryhet projektimi për segmentin Milot – Poliçan”-tha ministrja Balluku.