Mançester Junajtid është në panik për situatën e tyre me mbrojtësit e krahut, me më pak sesa një muaj para fillimit të sezonit të ri. Klubi ka fluturuar në Los Anxhelos pa Ljuk Shoun, Diogo Dalotin dhe Tajrell Malacian.
Dhe ndërsa Aron Uan-Bissaka është atje, Junajtid po përpiqet në mënyrë aktive ta shesë atë. Shou dhe Dalot janë me pushime të zgjatura pas pjesëmarrjes së tyre në Europian. Megjithatë, ka shqetësime për gjendjen fizike të Shout.
Ai u rikthye të luante në fazat e fundit të Europianit me Anglinë. Por ato ishin minutat e tij të para të futbollit që nga shkurti. Dalot ishte një nga lojtarët më të qëndrueshëm të klubit sezonin e kaluar.
Dhe siç qëndron situata, ai do ta nisë sezonin në të djathtë, me Shoun që do të mbulojë krahun tjetër. Por nuk ka asnjë lojtar tjetër për të ofruar mbështetje në raste dëmtimi të titullarëve, me klubin që po përpiqet të shesë UanBisakën, i cili është në vitin e fundit të kontratës së tij në “Old Trafford”.
Për anglezin ka interesim si nga Uest Hemi ashtu edhe nga Gallatasaraji në Turqi. Ndërsa ka shqetësime të vazhdueshme për Malacian, i cili nuk është në formën më të mirë fizike. Ai nuk ka luajtur për klubin që nga maji i vitit 2023 dhe tani i është nënshtruar dy operacioneve në gju.
Trajneri Erik ten Hag ka luajtur me adoleshentin Sem Marrej në krahun e majtë në dy ndeshjet e para para-sezonale kundër Rozenborgut dhe Rejnxhërsave, dhe ai do të luajë gjithashtu në Los Anxhelos. Por ai ende nuk e ka bërë debutimin e tij të plotë profesional për “Djajtë e Kuq”. Për të lehtësuar disi këtë problem, Mançester Junajtid ka kërkuar gjithashtu mbrojtësin e djathtë të Bajernit të Mynihut, Nuser Mazraui, i cili do të kushtonte rreth 20 milionë paund.
Por edhe bisedimet me Bajernin për transferimin e mundshëm të marokenit, varen nga shitja e Bisakës. Junajtid është në kërkim të një ekipi për ta shitur anësorin, për të mos e humbur verën e ardhshme me parametër zero. Por deri tani asnjë klub nuk ka bërë një ofertë të kënaqshme për ta shitur.