Kreu manovra të rrezikshme me Jet Ski, duke cenuar sigurinë e pushuesve në Velipojë, gjobitet me 1 milion lekë të vjetra drejtuesi i mjetit.
Uniformat blu gjithashtu bllokuan Jet Ski për mungesë dokumentacioni.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër dhe të Njësisë Policore Detare, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Velipojë, gjatë patrullimeve në vijën bregdetare, nisur nga njoftimet e patrullave policore që patrullojnë në tokë përgjatë vijës bregdetare, për një mjet lundrues Jet Ski i cili kryente manovra të rrezikshme në plazhin e Velipojës, kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin e tij. Drejtuesi i mjetit lundrues, pasi konstatoi shërbimet e Policisë Kufitare, mbylli mjetin lundrues dhe u largua.
Pas verifikimeve të kryera, bazuar edhe në filmimet e publikuara në rrjetin social JOQ, Shërbimet e Policisë Kufitare kanë identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin B. B., me masë administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues Jet Ski.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.