Gazetari Artan Hoxha thotë se SPAK ka patur rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë narkotrafikun, siç tregoi edhe hetimi i fundit “Revanshi” që goditi shtatë grupe kriminale.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ndërsa bëri një përmbledhje të ngjarjeve kriminale të këtij viti, Hoxha tha se eksponentët e krimit të organizuar janë tërhequr dhe janë laguar nga vendi, për shkak të goditjeve dhe hetimeve. Hoxha tha se numri i ulët i vrasjeve me përfshirje të organizatave kriminale, vetëm dy që prej janarit të këtij viti, e dëshmojnë këtë fakt.
“Kreu i SPAK, ndryshe nga momenti kur mori mandatin dhe deklaroi se do të kishte takim çdo muaj me gazetarët, kaloi një kohë e gjatë gjashtë muaj, derisa bëri daljen e fundit. Dalja e fundit, ndryshe nga daljet e mëparshme të tij, shërbeu si një lloj kronologjie, për disa ngjarje. Iu bënë pyetje dhe dha përgjigje të thatë, duke thënë ia kemi lënë hetimit këto çështje. Ajo që la të kuptohej, është pikërisht fakti që SPAK i mbetet objektivit fillestar për të cilin është ngritur, pra prokuroria speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjysma e SPAK punon dhe heton korrupsionin, ndërsa gjysma tjetër, që mendoj se është më e mira që ka SPAK dhe që ka më shumë rezultate, që është e dukshme, është pjesa e SPAK që merret me krimin e organizuar dhe narkotrafiqet. Rezultatet e deritanishme, është fakti që në total në Shqipëri viti i kaluar është rekord nga viti 91’, ka një numër më të vogël të vrasjeve, 34 gjithsej. Pjesa dërrmuese e atyre që njihen si eksponentë të krimit të organizuar, janë larguar jashtë vendit, ndodhen kryesisht në Dubai, një pjesë më e vogël janë në Evropë dhe në Amerikën Latine. Kjo ka bërë që në Shqipëri të bjerë intensiteti i ngjarjeve mafioze, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Prandaj Shqipëria ka patur këtë rezultat.
SPAK është në fillesat e veta, në përballje me krimin e organizuar. Ata janë tërhequr, për të siguruar paprekshmërinë e tyre dhe familjeve të tyre, për të mos u ekspozuar, sepse kur ke edhe shtetin mbi shpinë, kundërshtari e ka më të lehtë të të godasë.
Qeveria përpiqet ta justifikojë këtë gjë, me veprimet që ka marrë kundër krimit të organizuar, por më rezulton se rënia e vrasjeve ka ardhur prej këtij fenomeni, pra të ekspozimit si asnjëherë tjetër të krimit të organizuar nga organet e hetimit, në media, në hetimet e gjera që janë bërë. Hetimi i fundit i SPAK kishte shtatë grupe brenda dhe 50 urdhër arreste. Ishte hetimi më i zgjeruar që ka ndodhur ndonjëherë.
Ajo që kreu i SPAK komunikoi me gazetarët, ishte ky fakt, që SPAK është në punë e sipër, po merret me krimin e organizuar.
Ajo që është e dukshme, SPAK është marrë kryesisht me pjesën e Shqipërisë së mesme dhe veriun. Ajo që pritet është se çfarë do të ndodhë me hetimet e tjera, edhe në bashkëpunim me autoritete të huaja. Grupe që kanë aktivitet të zgjeruar, në Shqipërinë e mesme, kryesisht në zonën e Elbasanit dhe pastaj do të zbresë poshtë deri në zonën e Vlorës dhe Tepelenës. Nuk janë prekur Lushnja, Fieri, Berati, janë larg hetimeve.
Kjo është një gjë që nuk e besoja, derisa pashë në Dubai se kush gjendej atje”, tha Hoxha.