Nga Baton Haxhiu
Në një vendim të (pa)pritur dhe me pasoja të thella, Bashkimi Evropian ka vendosur të liberalizojë vizat për serbët e Kosovës, duke filluar njëanshëm zbatimin e planit franko-gjerman të nënshkruar në Ohër. Kjo po bëhet pa miratimin zyrtar të qeverisë së Kosovës dhe duke anashkaluar negocimin e sekuencave që të dy palët po negociojnë me Brukselin.
Ky hap nënvizon një moment kritik për Kosovën, që kërkon një analizë të kujdesshme dhe një qëndrim të qartë ndaj raporteve me SHBA-të.
Para Kurtit si kryeministër, Kosova shihej si një pjesë e perandorisë amerikane. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, Kosova nuk ka shumë opsione; realisht, e ka vetëm një: të riparojë urgjentisht raportin me SHBA-të. Ky raport duhet trajtuar me nuanca të kujdesshme, jo me frymë dhe pasion ideologjik, që Kurti e tregon ndaj Qeverisë Amerikane në emër të ideologjisë së majtë, duke anashkaluar interesat e shtetit të Kosovës.
Disa gjera duhen trajtuar me kujdesin më të madh. Pse kryeministri Kurti nuk ka shije perceptimi dhe dëshirën më të vogël për të dalë nga lideri ideologjik kundër SHBA-ve. Po përmendim disa pika;
Heshtja e ndërkombëtarëve ndaj dy akteve terroriste në veri duhet të jetë një alarm për Kurtin. Askush nuk tha asnjë fjali. Prandaj, kur s’ke shqisën politike nuk mjafton vetëm të kesh të drejtë; ndonjëherë e drejta nuk mjafton. Duhet të dish si të lakohesh, që të mos thyhesh. Kurtin e kanë thyer dhe poshtëruar përfundimisht.
Në Washington DC ekziston mendimi se evropianët e kanë tepruar me dënimin ndaj Kosovës, por ata e kanë gati të pamundur të veprojnë për të ndihmuar Kosovën, për shkak të qasjes që Kurti ka ndaj marrëdhënieve me SHBA-të.
Kurti në disa raste ka marrë guximin t’u tregojë zyrtarëve amerikanë si duhet t’i shohin gjërat, si duhet të mendojnë dhe çfarë duhet të thonë. Ai nuk bën as edhe përpjekjen më të vogël për të gjetur një pikë të mesme takimi mes dy pikëpamjeve. Dhe kjo është problem.
E vetmja mënyrë për të dalë nga rrethi vicioz ku evropianët e përkëdhelin Serbinë, ndërsa e dënojnë Kosovën, Kurti duhet të mbështetet te SHBA-të, të angazhohet dhe të gjejë pikën e mesit. Edhe pse të gjithë thonë se tashmë është shumë vonë.
Kurti është duke u mbështetur në të djeshmen dhe refuzon të tashmen, duke përmendur një të ardhme që nuk ekziston.
Ai duhet të dijë qe e djeshmja është histori, kurse e ardhmja është mister. Vetëm e tashmja është ajo që dihet, dhe mbi te tashmen duhet të dish edhe të veprosh. E tashmja është dhuratë që koha të jep, dhe nuk e gjen më dhe as nuk përsëritet. Pas shumë pak kohësh mbetet histori. Por dhimbja mund të jetë e madhe.
E kishim thëne edhe më herët se Kurti është ndoshta i vetmi politikan shqiptar i Kosovës, i cili e percepton Komunitetin Perëndimor si kundërshtar, duke minuar besimin e publikut në aleatët kryesorë të Kosovës.
Ky perceptim negativ ka ndikuar në politikën e paqëndrueshme që ai ndjek, duke mos qenë i kënaqur me politikën e asnjë lideri perëndimor, qoftë Trump, Biden, Merkel apo Scholz. Për më tepër, ai ka komplikuar marrëdhëniet ndërkombëtare duke penguar zbatimin e Marrëveshjes Themelore, duke gërryer besimin e partnerëve.
Kurti shpeshherë është bërë peng i dizajnit të tij politik, injoron garancitë e Komunitetit Perëndimor dhe krijon pengesa të panevojshme. Ai gjithashtu akuzon bashkësinë ndërkombëtare për mungesë drejtësie ndaj Serbisë, duke shmangur përgjegjësitë e veta. Ky qëndrim acaron marrëdhëniet dhe i shton tensionet me partnerët strategjikë.
Naiviteti perëndimor i Kurtit, ku ai nuk arrin të kuptojë se ajo qe po ndodh sot ka të bëjë me drejtimin e botës nesër.
Ai duhet të sillet si aleat dhe të mbajë një qëndrim të fortë në përputhje me interesat e Kosovës. Drejtimi i një kombi kërkon finesë dhe shume pak arrogancë; politika aktuale nuk i përputhet realitetit të Kosovës dhe e vendos vendin në një pozitë të vështirë.
Nëse vazhdon me këtë qasje konfliktuale, do të humbasë mbështetjen e aleatëve kryesorë. Kosova ka vetëm një rrugëdalje: të riorientojë marrëdhëniet me SHBA-të, të angazhohet dhe të gjejë një rrugë të mesme që siguron stabilitet dhe mbështetje ndërkombëtare.
Të gjitha këto përçmime dhe probleme që po shfaqen rreth Kosovës do të reflektohen thellësisht edhe këto muaj.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA ,gjithashtu, do te kenë ndikim të madh në këtë kontekst. Ndërsa Amerika është e fokusuar në fushatën zgjedhore, Kosova rrezikon të mbetet e injoruar në politikën ndërkombëtare. Problemet me administratën Biden dhe politika e ashpër që Trump po udhëheq me Evropën, duke përmendur me tone pozitive presidentin Putin dhe presidentin kinez Xi, dhe duke kërkuar historinë dhe trashëgiminë e re te botes qe aludojnë në një Jaltë të re, ku interesat e vogla mund të anashkalohen për hir të marrëveshjeve të mëdha gjeopolitike. Kjo është një situatë që Kosova duhet ta menaxhojë me kujdes për të siguruar mbështetje dhe stabilitet në një kohë sfiduese.
Nëse shikojmë shembujt nga historia, do të kuptojmë se armiqësimi me SHBA-të ka sjellë pasoja të rënda për vende të ndryshme. Për shembull, Iraku nën udhëheqjen e Saddam Husseinit dhe Kuba nën Fidel Castron përjetuan izolim ndërkombëtar dhe vështirësi të mëdha ekonomike dhe politike. Koreja e Veriut, Irani, Venezuela, Libia, Afganistani dhe Siria janë gjithashtu dëshmi të qarta se politikat kundër SHBA-të kanë sjellë shkatërrim dhe vështirësi për këto vende. Së fundmi, edhe Serbia është bombarduar, edhe pse për një kohë të gjatë ishte aleate e Amerikës në marrëveshjen e Dayton-it. Këto raste tregojnë se është e domosdoshme të ruhet një marrëdhënie e qëndrueshme dhe bashkëpunuese me SHBA-të për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e një vendi. Këto raste nuk kanë shumë ngjashmëri me Kosovën, sepse Kosova ende trajtohet si fëmijë amerikan, por gjithnjë duhet kujtuar që e kaluara është vetëm histori.
Kosova duhet të mësojë nga këto shembuj dhe të veprojë në përputhje me interesat e saj afatgjata, duke ndërtuar një marrëdhënie të fortë dhe pozitive me SHBA-të. Kjo është rruga e vetme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese për Kosovën dhe qytetarët e saj, edhe pse asgjë nuk është e sigurt në ketë botë kaotike.
Kurti është kthyer kah historia dhe ka humbur te tashmen. Te ardhmen askush, dhe as Trump nëse fiton, nuk e di. Pastaj , pas nëntorit, ka shume palë në betejë dhe në gjeopolitikë. Nuk i dihet fundi asnjë te tashmeje.