Nga Monika Stafa
Për më shumë se gjashtë dekada, qëkurse vepra e Ismail Kadaresë fitoi vëmendjen e opinionit dhe të studimeve, nuk ka mbetur cilësim e kundërcilësim pa u përdorur, prej madhështimit të saj e deri tek nënçmimi e refuzimi për veprën e tij.
Në këtë epokë të fundme, më shumë se për brendinë e veprës së Kadaresë, është debatuar për disa raporte më të përgjithshme, si letërsia dhe shteti e pushtetet; letërsia dhe politika e ideologjia; shkrimtari dhe liria e censura.
Prej vitit 1954, kur botoi librin e tij të parë, “Frymëzime djaloshare”, Kadare i ka sprovuar e përpunuar thuajse të gjitha llojet apo nënllojet e letërsisë, prej skicës e reportazhit deri tek romani e drama. Veprës së tij nuk i mungon asnjë epokë: parahistorike e historike e popullit shqiptar, prej kohërave të mjegullta mitologjike, periudhës parakombëtare, kohës së formimit të vetëdijes etnike, epokës së humanizmit europian, shekujve të vështirë perandorakë dhe periudhës historike, deri tek bashkëkohësia dhe sezonet politike të sotme.
Kadare, me veprën e tij, i ktheu letërsisë shqipe një përmasë të munguar për shumë kohë, përmasën europiane, që ajo e kishte humbur qysh prej Gjergj Kastriotit dhe Marlin Barletit. Pavarësisht disa përpjekjeve të çmueshme të shkrimtarëve të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, kjo përmasë nuk u arrit të rifitohej edhe atëherë.
Pas 60 vitesh krijimtari, vepra e Ismail Kadaresë tani veçohet si një projekt letrar, që u nis si frymëzim dhe u përkrye si një mjeshtëri. Veprat e tij vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e kohës dhe njëherësh zotërojnë një vend të përcaktuar në kuadër të së tërës. Shumë e rrallë kjo në historinë e letërsisë shqipe dhe atë botërore gjithashtu.
Pikërisht kjo është cilësia përcaktuese që mund të vërehet duke studiuar trashëgiminë letrare të Ismail Kadaresë. Ajo u shkrua dhe u debatua në kushte politike e poetike krejt të ndryshme: në kushte të kufizimit e të lirisë, në kushtet e frymëzimit dhe të refuzimit, në kushtet e kontrollit e të censurës apo dhe në kushtet e lirisë së plotë krijuese.
Letërsia e I. Kadaresë i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm ligjërimit shqip. Gjatë këtyre tre dekadave, ndërsa dijetarët u ndanë në dy grupe për të diskutuar nëse gjuha që kishim ia vlente të mbahej apo duhej prishur për të ndërtuar një të re, I. Kadare provoi se shqipja jonë, ajo shqipe standarde, ka një kolonë zanore të mrekullueshme dhe është një gjuhë e hapur e aspak fanatike.
Kadare mbetet përfaqësuesi më elitar i kombit shqiptar. E për këtë arsye ai është mbinjeriu që nuk do t’i vijë më tokës shqiptare edhe për shumë kohë. Ishte një fat dhe një dhuratë e madhe për shqiptarinë, që ai erdhi e u rrit mes nesh pas viteve ’50.
Ikja e tij në atëbotë mbetet një lajm i trishtueshëm për cdo shqiptar që e ndjen veten me identitet europian me rrënjë shqiptare. Një humbje e tejet e dhimbshme për letërsinë shqipe dhe ekuilibrat e saj, për letërsinë europiane e botërore gjithashtu.
Lexuesit të përkorë do t’i mungojë kryqtari i fundit i dashurisë, gjuhës shqipe kryemjeshtri i saj.