Nga Auron Tare
Kaloj shpesh përgjatë Vjosës. Më pëlqen ky pejzash ndoshta unik ndër viset tona. E njoh mirë këtë zonë, njerzit e saj dhe historinë pasi e kam shkelur për vite fshat më fshat.
Diku 6 muaj më parë vura re se ndanë Lumit ishin bërë disa shesh pushimesh me nga nje kioske Alpine ne mes. Ndalova dhe i pashë. Dukshëm ishin harxhuar fonde dhe më pëlqeu që Lugina do kishte disa pika orientuese per natyrën dhe historinë. Vjosa e meriton besoj unë, Lumi i egër në Evropë, Park, Di Caprio, shoqata që luftojnë për mbrojtje e saj. Plan Manaxhimi, Plan afat gjate, afat shkurter, përfshirja e komuniteteve, të ndihmojmë turizmin, e duam shume Shqipërinë e plot parrulla si këto qe gumëzhijne ne rrjetet sociale.
Shesh pushimet dhe Kioskat Alpine janë bëre me merak. Fondi i Zhvillimit dhe Banka Boterore kanë vendosur logot e tyre për të na thënë neve kalimtarëve se kanë treguar seriozitet për Luginën. Tabelat informuese janë plot me kordinata dhe përpos ndonjë informacioni historik për klasën e dytë fillore nuk shikon asgjë tjeter.
Nejse mendova se brenda ne Kioskat e hekurit do kishte me shume material per ketë lugine deshmitare e betejave qe nga antikiteti i hershem e deri ne Luften Italo -Greke. Në Mars kur i pashë kioskat Alpine të quajtura aq këndshëm Info Point i imagjinova se se gjatë verës do ishin plot me vizitorë të cilëve do tju shërbehej nga djem dhe vajza të zonës, veshur bukur te lëçitur me historinë që ska fund në këtë Luginë. Ndërkohë unë vazhdoj kaloj shpesh anës Vjosës, njëherë te pi një kafe tek Beni, një herë te qethem ne Kelcyrë tek një djali i ri i cili mezi pret të ikë nga ky vend.
Një here te pi një raki tek një barange e vogël tek i vetmi këpucar Xha Polua, qe ka mbetur dhe ende ben opinga. Nje here te blej Gin shqiptar tek vozaxhiu duar artë Hiqmet, i cili ben raki nga cdo lloj fruti, një herë të mar mjaltë tek bletët e Zybos ne Kala. Një here tek Bujtina e Mirës ne Peshtan per tu krenuar me turizmin qe ajo ben ne kete Luginë. Nje here ne Leuse tek Gili e deri me tutje ne Leskovik tek Bletët e Eleonores qe kullosin livadheve te Greqise dhe naten kthehen ne Shqipëri.
E ndërkohë që unë iki lart e poshtë nëpër Luginë, Kioskat Alpine buzë Vjosës mbeten te heshtura. Të mbyllura. Të braktisura. Të vetmit vizitorë që duken, jane tufat e gomerëve të fshatrave përqark që nga vapa mundohen te struken nën catitë Alpine të Info Pointeve te ndertuara me parate e Bankes Boterore.
Po sikur ato para ti jepeshin Mires ne Peshtan per Bujtinen e saj? Kepucarit që të ruajë traditën? Apo vozaxhiut dhe rakibërësit Hiqmet? Apo djemve te plakut Zybo që dikur mjaltin e tyre e conin deri ne France? Po sikur nje pjeseze e vogel Fondit te Kioskes ti jepej berberit te ri qe të hapte një biznes dhe të mos e braktiste vendin? Apo te ndihmoheshi Bletët e Eleonorës për tu bërë një mundësi për turizmin e zonës? Po sikur lekët e Kioskave të ishin përdorur për te restauruar Sarajet historike te Familjes Feudale të Këlcyrajve?
Fatkeqësisht për të gjithë këta njerëz të Luginës nuk mendon kush. Fondet janë veç për Gomerët.