Portugalia kaloi në fazën çerekfinale të Euro 2024, teksa luzitanët u treguan të saktë nga lotaria e 11-metërshave përballë Sllovenisë, duke qenë se koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën me rrjeta të paprekura me rezultatin 0-0.
Në fakt, Portugalia e pati shansin e artë për ta mbyllur më parë ndeshjen teksa në fundin e shtesës së parë, Cristiano Ronaldo goditi një 11-metërsh.
Por, si rrallëherë, CR7 gaboi dhe u hipnotizua nga Oblak. 39-vjeçari e përjetoi shumë keq atë moment, madje nuk mundi të shmante as lotët. Pas ndeshjes, Ronaldo theksoi se u ndje keq për tifozët që i zhgënjeu ndërsa shtoi se për të, ky është Europiani i fundit.
“Sigurisht që ky është Europiani i fundit për mua. Por, unë nuk motivohem nga ky fakt, ajo që më mua më motivon dhe më shtyn përpara është entuziazmi. Penalltia e gabuar? Më vjen keq për tifozët. Unë do të jap gjithnjë maksimumin për këtë fanellë, pavarësisht nëse gaboj apo jo. Do ta bëj këtë për të gjithë jetën time. Jam nga ata që marrin përgjegjësi”, u shpreh Ronaldo.