Pas afro 3 vite e gjysmë më në fund Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor ka miratuar listën re të barnave të rimbursueshme. Kësaj liste i janë shtuar 40 principe të reja aktive pra barna të reja dhe mbi 300 barna alternative.
Pjesën më të madhe të kësaj listë e zënë ato për sëmundjet tumorale të cilat janë barna dhe shumë të kushtueshme për xhepin e qytetarëve.
Si asnjëherë më parë, për barnat me rimbursim për mbi 3 vite ka funksionuar lista e vitit 2021, që do të thotë që qytetarët të cilët marrin barna me rimbursim në farmaci, kryesisht të sëmurët kronikë nuk kanë pasur barna apo zgjerim të numrit të përfituesve siç në fakt ka ndodhur ndër vite ku lista e re zgjerohet si në barna por edhe në përfitues.
Vonesa e miratimit të listës së re të barnave te rimbursueshme ka sjellë një sërë problemesh në tregun farmaceutik. Në treg mungojnë shume barna që janë në listën e barnave te rimbursueshme, pasi distributorët shpesh nuk marrin risqe duke krijuar stok.
Ata kanë një detyrim që për barnat në rimbursim sidomos alternativën e parë për të cilën qytetarët nuk paguajnë asnjë lek duhet minimumi ta kenë tre muaj më parë në depo, të paktën kështu e kanë të përcaktuar në kontratën me FSDKSH-në, por këtë herë nuk kishin informacion kur mund të dilte lista e re.
Vonesa e miratimit të listës së barnave ka vetëm një përfitim pasi kursi i këmbimit të euros në lekë ka rënë ndjeshëm dhe me buxhetin e përcaktuar mund të blihet sasi më madhe barnash.
Tani më kur lista është miratuar në këshillin administrative pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nëse do të jetë në rendin e mbledhjes më të afërt. Por me gjasë lista e re barnave hyn në fuqi në muajin shtator ./Top Channel