Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, bazuar në materialin e referuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar (kryesisht) procedimin penal me Nr. 150 të vitit 2022, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28 pika 4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për interesa të të cilave janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.
Nga aktet e administruara për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, autoritetet gjermane të drejtësisë e më konkretisht Prokuroria e Braunschweig, ka vijuar me kryerjen e hetimeve ndaj një grupimi në përbërje të të cilit kishte disa shtetas shqiptarë, të cilët, si pjesë e një grupi kriminal, gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuanë. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, është tregëtuar në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Për interesa të këtij procedimi penal janë administruar aktet nga autoritetet gjermane dhe franceze të drejtësisë, ku nga këqyrja dhe analizimi i të dhënave të administruara është bërë e mundur identifikimi i 12 (dymbëdhjetë) personave nga atë cilët 8 janë shqiptarë dhe 4 (katër) shtetas gjermanë të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Gjatë hetimeve janë evidentuar 9 (nëntë) episode dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike të trafikuar është 912 (nëntëqindë e dymbëdhjetë) kg marijuanë, kurse vlera e lëndës narkotike të trafikuar kap vlerën prej 3.374.400 (tremilionë e treqindë e shtatëdhjetë mijë e katërqind) euro.
Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës të sigurimit personal për personin në hetim, dhe gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, më datë 02.07.2024, në afërsi të ambienteve të SPAK-ut, është bërë e mundur që të ekzekutohet masa e sigurimi personal “arrest në burg”, për personin nën hetim I.S. Bazuar në aktet dhe provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar e provuar se personi i arrestuar I.S. është drejtuesi dhe financuesi i kësaj veprimtarie të paligjshme kriminale.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 4 (katër) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
3.070 (tremijë e shtatëdhjetë) euro;
300 (treqind) dollarë;
2 (dy) laptopë;
4 celularë;
1 DVR + Kamer;
Bizhuteri të ndryshme;
1 (një) orë e markës Rolex
4 çanta te markave luksoze;
3 çelësa automjeti;
Një automjet luksoz tip BMW X5;
Pas kontrolleve të ushtruara në territorin gjerman, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
1(një) automjet i llojit Mercedes i tipit Citan;
3.095 (tremijë e nëntëdhjetë e pesë) euro;
2 aparate celularë;
60 kg marijuanë e ndarë në pako me mbishkrimin “Kruja”;
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, si dhe Atasheut të Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Gjermane në Shqipëri, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.