Berat, 22 korrik – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, së bashku me kryetarin e Grupit të PS, Bledi Çuçi, dhe Kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Demo, inspektuan shkollën “Babë Dudë Karbunara”, e cila më 9 shtator do të hapë dyert për 640 nxënës dhe mësues.
“Kjo shkollë është një model i ri i infrastrukturës publike, por nga ana tjetër na jep dhe një dimension të ri programit tonë Qendra Komunitare. Shkolla po përfundon, pamë nga afër të gjitha ambientet që i dedikohen klasave, laboratorëve të shkencave, teknologjisë dhe informacionit, ambientit të ri të palestrës me standarde olimpike që do t’i shërbejë jo vetëm shkollës, por edhe gjithë komunitetit përreth, si dhe bibliotekës që do të jetë jo vetëm për shkollën, por edhe për qytetin dhe të rinjtë e Beratit.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Investimet do të vijojnë në qytetin e Beratit. Në një tjetër shkollë kanë nisur tashmë punimet. Me buxhetin 2024 janë 40 kantiere të reja në të gjithë vendin ku po punohet për të krijuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit nga veriu në jug.
“Vijmë dhe me një lajm të mirë për Beratin. Ne kemi hapur tashmë punimet për shkollën 9-vjeçare, “22 Tetori” me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Beratit, një tjetër shkollë emblemë për Beratin. Janë investime që po tjetërsojnë dhe ridimensionojnë zhvillimin e qytetit i cili fillon nga edukimi i fëmijëve dhe nga arsimi”, tha Manastirliu.
Kushtet më të mira për nxënësit dhe mbështetja për mësuesit në gjithë vendin janë prioritetet e Ministrisë së Arsimit. Një nga mbështetjet më të rëndësishme për mësuesit është rritja historike e pagave të mësuesve, e cila ka filluar nga 1 korriku, duke arritur në një mesatare prej 950 euro.
Manastirliu tha se po punohet në bashkëpunim me pushtetin vendor, që për datën 9 shtator, kur fillon viti i ri shkollor, gjithçka do të jetë gati që nxënësit të zhvillojnë mësimin në kushte bashkëkohore. Ka një plan masash intensive për inspektimin e kopshteve dhe shkollave publike dhe jo publike, deklaroi Ministrja:
“Është një punë intensive me të gjitha bashkitë sa i përket inspektimeve dhe mirëmbajtjes në shkolla, hapjes së shkollave të reja sikurse është kjo shkollë dhe bërjen gati për mobilimin e tyre dhe pajisje me laboratorë, mjete didaktike për ta bërë gati të gjithë sistemin arsimor për vitin e ri shkollor. Nga ana tjetër, ne kemi tashmë një plan masash intensive për inspektimet në kopshte dhe shkolla, publike dhe jo publike. Një rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë cilësisë së mësimdhënies. Përpos faktit se jemi duke plotësuar të gjitha vakancat në sistemin arsimor për transferimin e mësuesve dhe në shkollat ku kemi lëvizshmëri të nxënësve dhe gjithashtu edhe në sistemin jo publik në shkollat private ku do të kemi një vëmendje të shtuar jo vetëm për infrastrukturën që ka një rëndësi parësore por edhe për përputhshmërinë e mësuesve me ato standarde që ne duam, duke filluar nga licensimi i tyre, verifikimin e dosjeve të tyre të edukimit në vazhdim dhe gjithashtu të përputhshmërisë me lëndët që ato japin në shkolla për të garantuar një cilësi të lartë të mësimdhënies si në arsimin publik dhe atë privat”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Home Lajme Aktualitet Manastirliu inspekton shkollën e rindërtuar “Babë Dudë Karbunara në Berat: Plan masash...