“Mësues për Greqinë”, program model për rritjen e standardit dhe cilësisë së mësimdhënies të gjuhës shqipe
Prishtinë, 19 Korrik- Në Seminarin e XVII me mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, i cili këtë vit po mbahet në Prishtinë, i organizuar nga Ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, ku tema e diskutimit ishte “Metodologji të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë”.
Në takimin me mësuesit e diasporës, Ministrja Ogerta Manastirliu, tha se qëllimi madhor i të gjithëve bashkë është ruajtja dhe fuqizimi i gjuhës shqipe në transmetimin e vlerave më të mëdha të identitetit që ka kombi ynë.
Ministrja Manastirliu u ndal në punën që është bërë për përmbushjen e këtij misioni historik nga dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, kur tha se: “Tekstet lehtësuese të “Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare” për të cilat është punuar si për Nivelin I dhe për Nivelin II, të cilin ne e miratuam, tashmë vijojmë dhe është në finalizim e sipër brenda këtij viti edhe botimi i Nivelit III”.
Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu foli edhe për programin e ri “Mësues për Greqinë”, duke e konsideruar atë si një program model.
“Kemi lançuar një program të cilin e konsiderojmë model që është programi “Mësues për Greqinë”, për të mbështetur mësuesit për fuqizimin e klasave ku ata ushtrojnë profesionin e tyre por edhe për të ngritur në një standard të ri cilësinë e mësimdhënies sa i përket gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare”, tha Manastirliu.
Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji për mbështetjen e mësimdhënies në diasporë që synon institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe, përfshirë dhe Regjistrin e Mësuesve të Diasporës.
“Jemi duke punuar me Regjistrin Shtetëror të Mësuesve të Diasporës, ku falë dhe gjithë punës të Agjencive tona Parauniversitare kemi mundësi të freskojmë këtë regjistër, të marrim të gjithë të dhënat e mësuesve tanë dhe nga ana tjetër t’i kualifikojmë ata duke u njohur kështu edhe gjithë potencialin për mësimin e gjuhës shqipe”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit foli edhe për përgatitjen e mësuesve të ardhshëm të cilët do të mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në diasporë, për të cilën tha se duhet një strategji dhe një plan i përbashkët, që të trashëgohet dhe të mësohet gjuha shqipe brez pas brezi.
Në këtë seminar marrin pjesë rreth 150 pjesëmarrës, duke përfshirë mësues, specialistë, kërkues shkencorë, akademikë dhe studiues nga Austria, Belgjika, Britania e Madhe, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia, Kroacia, Suedia, Norvegjia, Turqia, Zvicra, Danimarka dhe vende të tjera.
Zhvillimi i këtij seminari ka një vlerë të madhe në ndërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të mësimdhënësve të diasporës. Qëllimi i këtij seminari është aftësimi dhe kualifikimi i mësuesve të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë, për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe nxënies, duke shkëmbyer përvojat me njëri-tjetrin.
Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë ka shpallur Vitin e Gjuhës Shqipe dhe ka organizuar një sërë aktivitetesh dhe nismash, si Konkursi i Gjuhës Shqipe në rang vendi dhe përgatitjet për olimpiadën e gjuhës shqipe që do të organizohet së bashku me Kosovën.