Tiranë, 18 Korrik 2024 – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha sot në Kuvend se po ndërmerren politika të reja për trajtimin financiar dhe zhvillimin profesional të mësuesve, të cilat e kanë çuar pagën e mësuesve në mbi 950 euro. Ministrja Manastirliu foli edhe për skemën e re të mbështetjes financiare të mësuesve që lidhet me sistemin e ri të kualifikimit.

“Premtuam se brenda këtij mandati do t’i rrisnim pagat e mësuesve me 40% dhe këtë e kemi bërë realitet. Do të vazhdojmë politikën e rritjes së pagave dhe mbështetjes së mësuesve. Nga kjo politikë përfitojnë 30 mijë mësues në sistemin arsimor dhe 7368 edukatorë në çerdhe dhe kopshte, si dhe mësues të arsimit profesional. Kur flasim për skemën e re të pagave, nuk kemi parasysh vetëm rritjen për pozicion pune apo për vjetërsi, por edhe për kualifikim dhe mbështetje përgjatë gjithë karrierës së tyre. Kemi ndërtuar një sistem të ri për edukimin në vazhdim dhe skemën e përfitimit të shkallëve të kualifikimit. Me skemën e re të kualifikimit, duhen 3 vite eksperiencë për të përfituar “Mësues i Kualifikuar”, 8 vite për “Mësues Specialist” dhe 15 vite për “Mësues Mjeshtër”. Kjo skemë vjen me rritjen e shpërblimeve financiare, duke dyfishuar shpërblimet për “Mësues i Kualifikuar” dhe “Mësues Specialist”, dhe duke rritur me 50% shpërblimin për “Mësues Mjeshtër”. Financimi shtesë për mësuesit për rritjen e kualifikimeve është 4.8 milion euro”. Këto deklarata Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, i bëri gjatë interpelancës së thirrur nga deputetja Erisa Xhixho në Kuvend.

Ministrja u ndal dhe te puna për modernizimin e kurrikulës kombëtare dhe integrimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në shkolla. Janë 200 shkolla që tashmë janë pjesë e programit Element IT, me 216 laboratorë të rinj Smart, duke përfshirë më shumë se 40,000 fëmijë në programet e kodimit.

“Po punojmë për modernizimin e kurrikulës kombëtare dhe jemi duke vlerësuar arritjet e nxënësve në raport me metodat e reja dhe efektive të mësimdhënies. Nevojat për të reflektuar zhvillimet teknologjike dhe digjitale, nxitjen e mendimit kritik dhe rritjen e kompetencave të nxënësve janë prioritet. Integrimi i teknologjisë dhe informacionit është një prioritet i yni për zhvillimin e një arsimi që aftëson nxënësit në fushën e teknologjisë,” tha Manastirliu.

Një nga prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është mbështetja financiare për studentët që zgjedhin degë prioritare, me bursa që arrijnë vlerën e pagës minimale.

“Këtë vit, vendimi i qeverisë ka ridimensionuar programin e mbështetjes së studentëve të degëve prioritare me bursa sa paga minimale, duke i dhënë një rëndësi fushave si mësuesia, bujqësia, shkencat e natyrës, inxhinieri navale etj. Kjo përfshin jo vetëm hyrjen dhe mbështetjen me bursa, por gjithashtu ruajtjen e arritjeve të studentëve, në mënyrë që studentët që mbështeten me këto bursa, të jenë më pas profesionistët më të mirë. Rimodelimi që po i bëjmë këtë vit këtij mekanizmi, do të sjellë që jo vetëm që interesi të rritet, por ne të garantojmë që ata studentë që futen në sistem të rrisin rezultatet e tyre dhe t’i mbajnë këto rezultate në të gjitha nivelet e studimit të tyre përgjatë kohës që përfitojnë këto bursa”, tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se reformat e ndërmarra kanë sjellë rritje të pagave, përmirësim të kushteve të punës dhe një sistem më transparent dhe meritokratik të punësimit për mësuesit.