Tiranë, 23 korrik – Hapja e Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë të Spanjës (UNED) në Gjirokastër është një iniciativë e re që synon të ofrojë një alternativë të re studimi në vendin tonë, përmes edukimit në distancë. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, institucion publik i arsimit të lartë, i regjistruar dhe i licencuar në Spanjë, “Për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, Kampusi në Gjirokastër” u diskutua në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
“Nuk bëhet fjalë thjesht për një filial të një universiteti, por për sjelljen në vendin tonë të një institucioni që konsiderohet ekselent për sa i përket alternativës së studimit. Ky projekt synon të rrisë nivelin e Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe të prezantojë një model të ri studimi, që është edukimi në distancë. Përmes kësaj marrëveshje, synojmë të zgjerojmë dimensionin europian të Arsimit të Lartë në vendin tonë, duke sjellë në Shqipëri një universitet të këtij niveli që do t’i shërbejë studentëve shqiptarë, por edhe rajonit. Ky është vendi i parë në rajon ku hap degë Universiteti i Studimeve në Distancë i Spanjës,” tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja Manastirliu theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare. Ajo nënvizoi se marrëveshja do të sjellë një ofertë të re akademike, mundësi për avancim akademik dhe punësim për të rinjtë shqiptarë. Marrëveshja është në përputhje të plotë me strategjinë kombëtare të arsimit dhe programin politik të Këshillit të Ministrave, dhe është një dëshmi e përkushtimit të qeverisë shqiptare për të siguruar një arsim të lartë cilësor dhe gjithëpërfshirës.
“Programet e studimit që do të ofrohen nga filiali i UNED në Gjirokastër do të kenë të njëjtat standarde si ato të ofruara në kampuset e tjera në Europë dhe Spanjë. Rregullat dhe procedurat për hapjen, riorganizimin, gjuhën e studimit, zgjatjen e programeve të studimit, si edhe aspektet e tjera rregullatore, bëhen në funksion të kësaj marrëveshjeje, duke u bazuar në aktet e brendshme të UNED. Në aktet e krijimit të UNED parashikohen edhe kriteret e pranimit dhe regjistrimit të studentëve. Akreditimi institucional dhe vlefshmëria e studimeve të ofruara nga UNED do të njihen automatikisht nga institucionet e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë matrikulimin dhe njohjen e diplomave,” tha Manastirliu.
UNED është universiteti publik kryesor i edukimit në distancë në Spanjë. Ka mbi 200 mijë studentë në vit dhe kampuse/filiale në 17 shtete në botë, konkretisht në 75 qytete, me 80 qendra. UNED është një lider në fushën e arsimit në distancë dhe kërkimit shkencor. I themeluar në vitin 1972, UNED ofron një gamë të gjerë programesh universitare dhe pasuniversitare, duke përfshirë 30 diploma bachelor, 80 diploma master dhe 20 programe ndërkombëtare doktorale në fusha të ndryshme si shkencat, inxhinieria, ekonomia dhe administrim biznesi, shkencat politike dhe sociologjia, drejtësia, edukimi, filologjia, filozofia, gjeografia dhe historia, dhe psikologjia.
Ky universitet ka revolucionarizuar metodologjinë e mësimdhënies përmes teknologjisë, duke pasuruar ofertën akademike çdo vit me programe dhe diploma të reja. Një nga aspektet më të njohura të UNED është mundësia arsimore që u ofron studentëve pavarësisht vendndodhjes dhe moshës së tyre. Kjo e bën universitetin tërheqës për studentët ndërkombëtarë dhe duke filluar nga viti i ri akademik, 2024-2025, këto mundësi do të jenë të disponueshme edhe për studentët shqiptarë.