Një kontroll i befasishëm i kryer në zyrën dhe banesën e mësueses së anglishtes të gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, Valentina Lamaj, ka çuar në sekuestrimin e kompjuterit, Lap-Topit, dhe aparateve telefonike të saj.
Hetimi ka si synim të zbulojë një skemë mashtrimi të dhjetëra gjimnazistëve të Tiranës, përmes një projekti arsimor i njohur ndryshe si “Let’s Talk Together About US24”.
“Ora News” ka mësuar se pjesë e verifikimeve hetimore nga prokuroria e Tiranës, është dhe drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi.
Aktualisht hetimi që po ndiqet nga një prokurore dhe dy oficerë Shqiptarë të atashuar në Ambasadën Amerikane, ka çuar në kontrollin e banesës së Klea Ramës, e cila rezulton si drejtuesja e projektit për Shqipërinë, dhe ajo deklarohet si përfaqësuese e “Departamentit Amerikan të Shtetit”.
Sipas burimeve pranë prokurorisë së Tiranës verifikimet janë shtrirë dhe tek Valentina Prespa me detyrë zv/drejtore e këtij projekti, Fatbardha Beqiri, këshilltaret Anisa Mehja, Fatjona Gashi dhe Ersilda Ramadani.
Janë dhjetëra nxënës të gjimazeve në Tiranë dhe jo vetëm që janë mashtruar përmes këtij projekti që maskohej nën siglën e ambasadës Amerikane.
Ndërkohë në 6 qershor 2024, përmes një deklarate Ambasada e SHBA-ve në Tiranë njoftoi se projekti i njohur si “Let’s Talk Together About US24”, po mashtronte duke pretenduar se financohej nga qeveria amerikane, pasi ai nuk kishte asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA dhe Departamentin e Shtetit të SHBA.