Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord në parim për një draft të dakordësuar për votën e Diasporës. Sipas draftit konsensual që po diskutohet në Komisionin e Ligjeve, palët kanë rënë dakord që emigrantët, duhet të bëjnë kërkesë për të votuar pranë Gjendjes Civile dhe KQZ-së dhe duhet të paraqesin dokumentet e një adrese të saktë. Sipas këtij drafti votimi do të realizohet me postë dhe ky shërbim do të përzgjidhet në operator ndërkombëtar me reputacion serioz.

Pjesë nga dokumenti:

1. Zgjedhësi që voton nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit.

Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

Listat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohen dhe përdoren rishtaz për çdo palë zgjedhje sipas kritereve, procedurave dhe afateve të përcaktuara në këtë Kod dhe akteve normative të KQZ-së të nxjerra në përputhje me të, dhe janë të vlefshme vetëm për zgjedhjet për të cilat ato janë hartuar. Në çdo rast, KQZ ruan bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për çdo palë zgjedhje.

Regjistrimi i zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë realizohet drejtpërdrejt nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë.
KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listat e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.