Kur fiton shumë, duhet edhe të investosh diku. Këtë duhet të ketë menduar Kylian Mbappe që ka vendosur që paratë e tij t’i investojë për një skuadër futbolli.
Sulmuesi më i ri i Realit të Madridit ka vendosur të bëhet pronar i një klubi pasi do të blejë kuotat e Oaktree duke u bërë ortak mazhorance te Caen, skuadër që militon në Ligën e dytë franceze, lajm ky që u dha fillimisht nga “Le Parisien” duke u konfirmuar më pas dhe nga “L’Equipe” që citoi një burim shumë pranë lojtarit, pjesë e stafit të tij menaxhues.
Kapiteni i Kombëtares Franceze gjatë javës, përmes strukturës familjare që menaxhon bizneset e tij, do të bëhet në këtë mënyrë aksioneri i mazhorancës të klubit të Caen në vend të fondit amerikan të investimeve që në muajt e kaluar mori në pronësinë e tij edhe Interin, ndërkohë që Pierre Antoine Capton, presidenti aktual i këshillit mbikëqyrës të Caen pritet të mbetet aksioner i paketës më të vogël të aksioneve.