Nga Mero Baze
Ka shumë komente në shtyp lidhur me sjelljen agresive të një grupi deputetësh të PD kundër kreut të SPAK Altin Dumani në Kuvend. Madje ka dhe kritika përse socialistët nuk I dolën zot sa duhet Dumanit.
Por në fakt e gjithë shfaqja në Kuvend nuk ka aq shumë lidhje me Dumanin dhe punën e tij, por me hallin e tyre. Edhe pse ai arriti ta ruaj qetësinë me gjuhën e drunjtë të prokurorit që nuk del jashtë kornizave ligjore kur përgjigjet, zhurma ndaj tij në Kuvend nuk pushoi, pasi askush nuk ishte I interesuar për përgjigjet e tij por për pyetjet e tyre.
Gjithë beteja ishte se kush të bënte pyetjen më të fort për Berishën me qëllim që ai ti dëgjonte dhe ti mbante shënim.
Natyrisht ashtu siç pritej Flamur Noka sipas rëndësisë që ka duhet të bënte budallallëkun më të madh dhe e bëri. Ai I shkoi drejt tribunës për ta qëlluar a thua se po debatonte me Erion Braçen dhe ja hante syri se mund ta rrihte. Po ashtu sipas traditës së tij tridhjetvjeçare Tritani duhet të bënte dhe servilizmin më të madh.
Pastaj me radhë sipas nevojës që kanë për t’iu dukur Berishës të devotshëm, deri tek Gazmend Bardhi. Ky I fundit madje vlen të lavdërohet se I bëri një pyetje aq të “fort” që dhe Berisha të kënaqej, dhe Dumani ta kuptonte që pyeste nga halli. Ky e pyeti “a të ka dërguar sms Edi Rama për Olsin” . Kjo është tipike një pyetje që përputhet me fantazinë e Berishës për Dumanin që ai shkëmben gjithë ditën sms me Edi Ramën dhe vendosin kë do fusin në brug e kë jo.
Kështu që dhe Dumanit ja lehtësoi përgjigjen dhe Berishës ja bëri qejfin .
Natyrisht që do ishte dhe më groteske sikur socialistët pastaj të ngriheshin tek podiumi e të mbronin Dumanin. Kjo do ishte teatër I plot, pasi kështu do të verifikohej dhe akuza që ai u shërben socialistëve edhe pse 95 e të dënuarve prej tij nga politika janë socialistë.
Për fat kjo nuk ndodhi përveç vërejtjeve që bëri Balla dhe Majko duke u tërhequr vërejte se Dumani nuk duhej trajtuar si vartës i deputetëve.
Prej seancës besoj se të gjithë dolën të kënaqur.
Altin Dumani doli I nderuar pasi fotot e atyre skenave nderojnë çdo prokuror që merret me politikën. Trajtimi I tij si një armik I politikës shqiptare është një medalje për të.
Edhe socialistët dolën të kënaqur, pasi u sollën mirë dhe treguan se e respektojnë reformën në drejtësi.
Por më mirë nga të gjithë dolën deputetët e PD që sulmuan Dumanin. Ata që I treguan grushtet, gishtin tregues apo ata që e shanin nga vendi, janë sot njerëzit më të lumtur, pasi ata nuk kishin gjë me Dumanin por me Berishën.
Ata vetëm gishtin drejtonin nga Dumani. Sytë e mendjen e kishin tek penxherja e Berishës se si e përjetonte ai luftën e tyre. Dhe ai ua ka mbajt shënim emrat këtë ditë që tua shpërblej.
Kaq ishte I gjithë teatri I opozitës në Kuvend.
Nuk u bë as për të trembur Dumanin se s’kanë me se e trembin. As me vota dhe as me forcë.
Nuk e bë as dhe për të shpëtuar Berishën se nuk kanë se si ta shpëtojnë.
Thjesht u bë për ti treguar atij se janë besnik të tij dhe janë gati të bëjnë çfarë tu thotë ai. Sot e kanë notën dhjetë. Tani përpara për prova të tjera derisa të bëhet lista.