Media greke “Protothema” ka lajmëruar në një artikull se ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri ka siguruar lejen për të shkuar në Stradsburg dhe për të kryer betimin e tij si eurodeputet.
Në artikull thuhet se Beleri do të niset mëngjesin e së hënës drejt Athinës, i cili do të jetë ndalesë e ndërmjetme, dhe më pas nga Athina do të fluturojë drejt Strasburgut.
“Pas presioneve dhe kundërshtimeve nga autoritetet shqiptare, Fredi Beleri mori lejen për të shkuar në Strasburg dhe për t’u betuar si deputet i Parlamentit Evropian. Ai do të fluturojë mëngjesin e së hënës për në Athinë, i cili do të jetë një stacion i ndërmjetëm dhe nga Athina do të shkojë në Strasburg. Ai pritet të mbërrijë në Eleftherios Venizelos në orën 12.30.
Kujtojmë se në maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve vetëqeverisëse në Shqipëri , ku ishte kandidat për kryetar bashkie në Himarë, Beleri u arrestua me akuzën e blerjes së votës. Gjykata e Vlorë, ku ai u referua nga prokurori i qarkut, deklaroi se nuk kishte juridiksion për çështjen dhe e dërgoi atë në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit, ndërsa Beleris mbeti në paraburgim. Më 14 maj, Beleris u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, me të në paraburgim.
Në të njëjtin muaj, Ylli Manjani, ministër i Drejtësisë i Shqipërisë nga viti 2015-2017, denoncoi qeverinë e Edi Ramës për arrestimin e Belerit, duke e cilësuar atë një “fiasko” dhe “ndërhyrje në zgjedhjet e lira”. Më 5 mars 2024, gjykata speciale e SPAK shpalli fajtor Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin. Gjykata dënoi Belerin me dy vjet burg dhe Kokaveshin me 18 muaj me tre vjet pezullim.”, thuhet në artikullin e Protothema. Ende nuk ka asnjë reagim nga drejtoria e burgut të Fierit lidhur me lejen e dhënë për Belerin
Beleri është një nga eurodeputetët e “Demokracia e Re”, partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, në Parlamentin Europian, pjesë e grupimit të EPP-së. Beleri, do të qëndrojë në burg deri në tetor, pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit në Shqipëri, e cila gjykoi çështjen e tij në shkallë të dytë në Tiranë. Gjykata vendosi të lërë në fuqi dënimin fillestar prej 24 muajsh. Ai u dënua si në shkallë të parë ashtu edhe në shkallë të dytë për korrupsion aktiv. Nëse vendimi i apelit ia ul dënimin në 20 muaj ose më pak, atëherë ai do të lirohej menjëherë.
Ndërkohë më 5 korrik Beleri u shkarkua edhe si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, pasi KQZ vendosi t’i heqë mandatin. Atë ditë, Beleri, i pranishëm në mbledhje, por dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të Qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra. Por sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, vendimi mbështetej në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit. Me urgjencë, Qeveria kërkoi më pas shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë, nga presidenti, i cili po ashtu me shpejtesi dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit.