Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel po feston sot ditëlindjen e saj të 70-të me njerëzit më të afërt, sipas zëdhënëses së saj.
Politikanët gjermanë kanë ofruar tashmë urimet e tyre dhe kanë nderuar Merkelin, e cila qëndroi në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës për 16 vjet. Ajo ishte gruaja e parë që mbajti atë post.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e nderoi Merkelin si “model dhe një shenjë dalluese e demokracisë sonë” përpara ditëlindjes së saj.
”Merkel kishte formësuar me vendosmëri rrugën e një Gjermanie të bashkuar si kancelare”, tha ai. Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder, të cilin Merkel e pasoi pas zgjedhjeve të vitit 2005, i ka dërguar edhe urimet e tij.
“Nga të gjithë kundërshtarët politikë, ajo është një e veçantë. Në fund të fundit, ajo fitoi”, tha Schroeder në një intervistë për revistën ”Stern”.
Merkel u lind në Hamburg më 17 korrik 1954, por familja e saj u zhvendos në ish-Gjermaninë Lindore komuniste pak më vonë. Ajo ka studiuar fizikë në Universitetin e Lajpcigut dhe ka një doktoraturë në kiminë kuantike. Karriera politike e Merkelit filloi si zëvendëszëdhënëse e qeverisë së parë të Gjermanisë Lindore e zgjedhur lirisht.
Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, ajo u zgjodh në parlamentin gjerman për kristian-demokratët (CDU) e qendrës së djathtë dhe më vonë shërbeu si ministre për Gratë dhe të Rinjtë dhe ministre për Mjedisin.
Merkel udhëhoqi CDU nga 2000 deri në 2018 dhe shërbeu si kancelare nga 2005 deri në 2021. Ajo ishte gjithashtu kancelarja e parë që u rrit në Gjermaninë Lindore.