Shefja e Shërbimit Onkologjik, Silvana Çeliku deklaroi sot se në Onkologjik çdo pacient që vjen edhe pse mund të jetë i pasiguruar pajiset me Kartë Shëndeti dhe merr të gjithë trajtimin falas.
Gjatë një raportimi në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë lidhur me situatën e ndodhur në Spitalin Onkologjik në QSUNT, bashkë me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ajo hodhi poshtë akuzat se po vdesin mjekë nga rrezatimi dhe se mjekët ulin dozat duke mos dhënë mjekimin sipas protokolleve të përcaktuara.
Çeliku tha se Onkologjiku është sektori që merr gjysmën e fondeve të QSUNT. “Ne trajtojmë gjithë kancerat që dikur as nuk konceptoheshin të trajtoheshin. Ne nuk mund të pretendojmë që të kemi gjithë gamën e medikamenteve që ka Bota, por ne kemi “fezga” një medikament që në Ballkan e kanë pak vende për trajtimin e kancerit të gjirit”, u shpreh ajo.
Sipas Çelikut, për sa kohë shteti mbulon linjën e parë të trajtimit, është një mundësi e artë, pasi për të gjitha shtresat sigurohet trajtimi bazë.
“Kemi ecur dhe ecim në rrugën e profesorëve të nderuar. Futja e ekzaminimeve patologjike ka bërë që të shohim përtej asaj që duket vetëm me sy, me imunoterapi etj., dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ecim me hapa të vegjël por shumë të rëndësishëm. Në Onkologji çdo pacient që vjen edhe pse mund të jetë i pasiguruar, pajiset me Kartë Shëndeti” dhe e merr gjithë trajtimin falas dhe mundohemi që këtyre pacientëve t’ i japim shërbimin falas”, vuri në dukje ajo.
Po ashtu, deklaroi mjekja Çeliku, marrin edhe përkrahje sociale për t’ i lehtësuar shpenzimet.
Por shtoi mjekja, jo çdo rast kanceri duhet trajtuar me KEMP.
“E kam kuptuar pozicionin e Shefes së Shërbimit Onkologjik si përgjegjësi. Në momentin që ndodhi skandali u preka shumë. Unë e kam gjetur atë shërbim me 10 mjekë dhe sot jemi 30. Deri në fund të viteve ’90, të sëmurët rrinin deri në 4 muaj dhe sot e kemi ulur kohën e trajtimit. Ne jemi i vetmi shërbim në vend që mbajmë të gjitha trajtimet e kancerave të organeve gjenitale dhe jam krenare për punën që bëjmë”, iu përgjigj akuzave të ngritura ditët e fundit.
Ajo i hodhi poshtë dy akuzat e rënda që janë artikuluar së fundmi në medie, nga opozita por edhe ish-mjekë pranë Onkologjikut.
“Unë nuk mund të pranoj 2 gjëra; që ne nuk kemi shërbim radioterapie dhe na vdesin kolegët nga rrezatimi dhe së dyti nuk pranoj dot të thoni që mjekët ulin dozat”, tha ajo.
Në Spitalin Onkologjik, siguroi Çeliku, nuk ka rrezatim dhe ndërhyrje te medikamentet.
“Sot trajtimi sipas protokollit bëhet me një staf të gjerë dhe nuk vendos vetëm një individ. Brenda kimioterapisë kemi stafet që bëjnë protokollin e trajtimit dhe marrin vendime. Sot mundësitë janë të mëdha për të bërë trajtime të shumta. Ne nuk kemi nevojë për mjekë onkologë shtesë në shërbim. Pacientët janë shtuar por ne e përballojmë. Kemi 10 onkologë, kemi edhe kimioterapeut. Jemi vendi i vetëm në Botë që nuk kemi radhë pritjeje, sepse afati maksimal i pritjes është 2 javë”, tha më tej mjekja.
Ajo solli edhe rastin e një kolegu që ka zgjedhur të trajtohet në Rusi, për të cilin informoi se ka pritur 3 muaj për të bërë një takim me mjekun onkolog.
Në kimioterapi, theksoi ajo, nuk ka radhë, sepse pacienti sapo vjen në spital futet në sistem.
Nga ana tjetër, Çeliku shtroi edhe nevojën e zgjerimit të kapaciteteve.
“Padiskutim që spitali jonë ka nevojë për ndryshime. Sot onkologjia është bërë një sëmundje ambulatore edhe radioterapia bëhet si seance, ku më pas pacientët kthehen në shtëpi. Kemi nevojë padiskutim për një spital të ri dhe di që është një plan për zgjerimin. Na duhet ftohja që nuk e kemi, por sërish bëjmë më të mirën e mundshme”, shpjegoi mjekja Çeliku.