A është kërcënuar apo jo drejtori i Policisë së Shkodrës? Kjo pyetje qarkullonte prej thuajse një muaji pasi një deklarate të bërë nga eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço. Ky i fundit, në një nga daljet e tij televizive u shpreh se drejtori i Policisë së Shkodrës është kërcënuar nga bandat për shkak të goditjeve që i ka bërë aktivitetit të paligjshëm të bandave në zonë. Madje, ndau publikisht edhe mesazhin që pretendohej se kishte marrë zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit.
“Shkodra bën një diferencë shumë të madhe me një pjesën tjetër të vendit. Veriu është më i predispozuar që për shkak të disa eksponentëve që paratë t’i hedhë në fushatë. Dhe kjo bëhet që persona në lidhje me krimin e organizuar të mos kenë më fuqi për të blerë vota. Drejtori i Policisë së qarkut të Shkodrës, para 3 javësh i thanë “natën mos dil vetëm”. Ai merr kaq shumë kosto sa edhe kërcënohet, dhe kjo tregon që ai e ka ndarë mendjen dhe tregon që do të vendosë rregull. Kjo është “luftë”, doni më shumë se kjo. Tritolet që vendosen çfarë duhet më shumë,”-tha Karamuço në fjalën e tij në një intervistë të dhënë për “ABC e Mëngjesit”.
Por përgjigjen e drejtpërdrejtë e ka dhënë vetë drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Kryepolici i Shkodrës u pyet sot gjatë konferencës për shtyp për operacionin “Bjeshkët” nëse ka marrë mesazhe kërcënimi. Përgjigja e tij ishte e prerë…”jo”!
Edmond Sulaj: Nuk është aspak e vërtetë. Unë bëj një jetë normale si çdo qytetar shkodran. Krahas profesionit që unë kam…
Pyetje: Ndjeheni i frikësuar?
Edmond Sulaj: Jo!
Mesa duket, edhe nëse ka marrë mesazhe kërcënimi, Sulaj nuk ndjehet i kërcënuar!