Muzika elektronike, spektakli i dritave dhe projeksionit, gjallëruan për dy ditë me radhë parkun “Rinia” të qytetit të Korçës.
Për herë të parë në qytetin juglindor, u mbajt festivali “LUMINA Elektronic”, i cili solli për të gjithë adhuruesit e këtij zhanri muzikor, DJ të njohur shqiptarë e të huaj.
Mes DJ të huaj ishte edhe ai me famë ndërkombëtare, Burak Yeter. I rikthyer në Korçë për të disatën herë, ai tha se atmosfera ishte mjaft e veçantë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Vendndodhja e këtij koncerti është e bukur dhe jam shumë i emocionuar të rikthehem këtu. Kam ardhur shumë herë në Korçë pasi kam edhe shume miq që jetojnë këtu po në këtë vendndodhje, brenda pemëve është hera ime e parë. Shumë i emocionuar të performoj këtu. Patjetër që do të kthehem përsëri atmosfera është e mrekullueshme, njerëzit janë të çmendur dhe vendndodhja është vendi im i preferuar dhe un do te luaj muzikë speciale të përzgjedhur për publikun sonte”, u shpreh Dj, Burak Yeter.
“Më pëlqen shumë që ka evente të tilla dhe mbi të gjitha që po rritet dëshira për muzikën elektronike. U bënë 3 vite në këtë profesion. Është një risi, pasi edhe njerëzit eksplorojnë rryma të ndryshme muzikore. Shumë e kënaqur, shumë buzëqeshje. Korça di të bëje dhe serenatat dhe muzikën elektronike”, tregoi një Dj.
Edicioni i parë i këtij festivali që synon të kthehet në një traditë, i kaloi pritshmëritë shprehen organizatorët.
“Ky festival organizohet për herë të parë në Shqipëri. Është një koncept i veçantë. Është një ndërthurje midis muzikës elektronike dhe efekteve vizuale. Ky projekt synon të promovoje turizmin. Korçës i mungonte një event rinor. Nëpërmjet këtij eventi synojmë të sjellim sa më shumë të rinj. Në shtator do përgatisim një event tradicional. Do të sjellim serenatat e Korçës me qëllim promovimin edhe jashtë territorit. Ka pasur impakt. Synimi i këtij eventi është që të kthehet çdo vit. Ne u kujdesëm që të kishim emra të mirë të muzikës elektronike jo vetëm nga brenda vendit por dhe jashtë saj”, u shpreh Bledar Leka Përfaqësues “Tourism for Albania”.
Për nënkryetaren e Bashkisë së Korçës, organizime të tilla janë shumë të rëndësishme për zhvillimin më tej të turizmit. Njëjtë ka ndodhur edhe me festivalin “LUMINA Elektronic”.