Zona bregdetare e Draleos, Drimadhes dhe Dhërmiut shumë shpejt do të ketë një furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, falë projekti që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve është duke zbatuar. Investimi nis në zonën e Tragjasit, ndërsa përmes rrjetit të ri që po ndërtohet do të bëhet e mundur furnizimi i zonës bregdetare me ujë të pijshëm.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e AKUK, Klevis Jahaj ishin në zonën e Dukatit ku po punohet për ndërtimin e rrjetit të ri të transmetimit të ujit.
Drejtori Jahaj bëri të ditur se projekti në fjalë mbulon kërkesën aktuale të zonës, duke ju përgjigjur njëkohësisht edhe zhvillimit të zonës në vitet e ardhshme.
“Ky është një investim mëse i nevojshëm. Ne kemi bërë llogaritjet e sistemit hidraulik duke u bazuar në të gjithë pjesën, jo vetëm të njësive akomoduese aktuale ose banesave që janë, por edhe ato të cilat janë miratuar dhe janë në projekt zhvillimi”, tha Jahaj.
Zëvendëskryeministrja Balluku tha se ky është një ndër projektet e rëndësishme që AKUK është duke zhvilluar pasi i shërben një prej zonave kryesore turistike.
“Nga Dukati do të furnizojmë me ujë zonën e Palasës, Dhërmiut, Gjilekës, Kondraqit, të gjithë pjesën e konsideruar si një nga zonat zhvillimore më të rëndësishme të nuklave të turizmit në jug, që tashmë edhe me tunelin e Llogarasë do të zhvillohet akoma dhe më tepër për shkak të aksesit infrastrukturor që ka”, bëri të ditur Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej tek reforma që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ku ka një përmirësim të dukshëm të të gjithë treguesve, por mbi të gjitha edhe të shërbimit ndaj qytetarëve. Balluku theksoi gjithashtu se po punohet edhe për uljen e humbjeve teknike, një problematikë e mbartur në vite në këtë sektor.
“Që reforma është e mirë, këtë nuk e diskuton më askush, sepse flasin numrat, flasin shifrat dhe kur flasin shifrat dhe kur ke përmirësim të kushteve financiare të këtyre ndërmarrjeve të cilat ishin kthyer në ndërmarrje debitore të cilat krijonin vetëm probleme për palët e treta, duke nisur nga OSHEE-ja, duke nisur me taksat lokale dhe gjithçka tjetër, është e padiskutueshme. I referohemi shifrave, kemi përmirësim të kushteve financiare, kemi përmirësim të shërbimit, kemi përmirësim të fizibilitetit të investimeve dhe siç e the edhe vetë, kemi një koordinim të jashtëzakonshëm të projekteve”, deklaroi Balluku.
Ndërtimi i rrjeti të furnizimit me ujë të zonave bregdetare, Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi është një projekt i shtrirë në dy bashki, Vlorë dhe Himarë. 2300 banorë, 3200 punonjës që shërbejnë në njësitë hoteliere të zonës si dhe më shumë se 65 mijë turistë do të jenë përfitues të këtij investimi.