Gazetari Sokol Bregu, duke folur për krimin e organizuar dhe ngjarjet më të rënda kriminale të këtij viti, deklaroi se në Dubai po formohen aleancat e reja mes organizatave kriminale.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Bregu tha se dosjet e fundit të SPAK ekspozuan intrigat mes grupeve kriminale, ndaj sot kriminelët nuk i druhen shtetit por hasmërisë mes njëri tjetrit, pasi kanë mësuar gjëra që nuk i dinin.
“Kjo qeveri nuk ka patur ndonjëherë politikë për të goditur krimin e organizuar. Të gjithë meritat i shkojnë SPAK. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka vetëm dy vrasje brenda territorit të Shqipërisë, që nxiten nga krimi i organizuar, në mos vetëm një, sepse ajo e janarit në Vlorë është më tepër hakmarrje, pavarësisht se vjen nga përplasja e dy grupeve kriminale. Mbetet vetëm vrasja e Fushë Krujës.
Të kesh një rezultat të tillë është sukses. A e merr qeveria? Kjo është çështje tjetër. E ka në natyrën e vet për ta rrëmbyer suksesin dhe imazhin e rendit dhe sigurisë.
Kanë ndikuar dosjet e SPAK, transmetimi i tyre në publik, janë larguar të gjithë. Brenda historisë së krimit të organizuar ka patur shumë intriga. Sot nuk kanë frikë shtetin dhe dënimet e rënda, por njëri tjetrin, për atë që nuk e kanë ditur më përpara.
Më duket e drejtë kërkesa e SPAK që dosja e fundit të mos publikohej në gjerësinë e saj sepse aty mund të lindin hasmëri të reja, sepse kishte intriga që nuk shkonin në mendje të dikujt, ata që mund të kishin shërbyer si pajtues, ishin njerëzit që kishin iniciuar më shumë krime.
Sot nuk kanë më probleme me shtetin por hasmëritë e reja, si pasojë e atyre që u deklaruan në dosjen e fundit.
Lidhur edhe me dosjen Metamorfoza vitin e shkuar, vrasjet në Shkodër, të cilat nuk i shkonin kurrkujt në mendje, sepse ishin miq me njëri tjetrin. Kështu ishte edhe me dosjen e fundit, sidomos trazoi ujërat në Shijak dhe Durrës. Pra informacioni që doli krijoi hasmëri të re.
Aleancat që krijojnë në këto momente, janë krijuar në Dubai, sipas të gjithë të interesuarve, sepse kanë ndryshuar aleancat e vjetra, duke marrë vesh informacionet që dolën nga dosjet e SPAK.
Krimet e tjera që kanë ndodhur gjashtë muajt e parë të vitit, është vrasja e policit, që nuk lidhet me krimin e organizuar, konsiderohet si vrasja më e rëndë e ndodhur në territorin e shtetit shqiptar, sepse i merret jeta një njeriu me uniformë”, tha Bregu.