Në rast se Joe Biden heq dorë prej kandidaturës për president të SHBA-së pas paraqitjes katastrofike në debatin e javës së kaluar kundër kandidatit republikan, Donald Trump, ish-Zonja e Parë, Michelle Obama është e vetmja kandidate e mundshme demokrate që do ta mundte pa problem ish-presidentin amerikan, Trumpin, sipas sondazheve të Ipsos. Michelle Obama kryeson gjithashtu renditjen midis votuesve të regjistruar, e cila lë pas Trumpin dhe Bidenin me më shumë se 10 për qind. Kur u pyetën nëse Trump apo Biden duhet të heqin dorë nga kandidatura e tyre pas debatit, pothuajse tre nga pesë të anketuar janë dakord që Biden duhet të largohet dhe pak më pak se gjysma thanë të njëjtën gjë për Trumpin.
Trump dhe Biden mbeten të barabartë mes votuesve të regjistruar për zgjedhjet presidenciale të muajit nëntor. Në ballafaqimet e tjera hipotetike demokrate kundër Trumpit, vetëm Michelle Obama është më e mirë se republikani në mesin e votuesve të regjistruar. Kur u pyetën se për kë do të votonin në zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor, 40 për qind e votuesve të regjistruar do të votonin për Bidenin dhe po aq për Trumpin. Ky raport në fakt ka qenë i qëndrueshëm që nga fundi i muajit maj i vitit 2024, kur 41 për qind e tyre ishin për Bidenin dhe 39 për qind për Trumpin.
Kur u pyetën për kandidatët e mundshëm demokratë kundër Trumpit, 50 për qind e votuesve të regjistruar thonë se do të votonin për Michelle Obama dhe vetëm 39 për qind për Trumpin. Të gjithë kandidatët e tjerë të mundshëm demokratë kanë rezultate të ngjashme ose më të këqija se Biden kundër Trump.