Rreth 1.2 milionë është numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit qershor, numër që është rritur me 23,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Po cila është origjina e këtyre shtetasve?
Shtetasit nga Kosova qëndrojnë në krye të listës me 485 mijë hyrje vetëm në muajin qershor. Ky është numri më i madh i hyrjeve që është regjistruar deri më tani nga shqiptarët e Kosovës, duke shënuar kështu edhe një shifër rekord prej 1.7 milionë hyrjesh në gjashtëmujorin e parë të vitit.
Nga ana tjetër, italianët nuk kanë zhgënjyer sërish. Rreth 115 mijë italianë kanë vizituar Shqipërinë gjatë qershorit, mbi 65 mijë më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Ndërkohë, në vend të tretë janë të pozicionuar shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me konkretisht 81 mijë hyrje në total.
Referuar të dhënave zyrtare nga INSTAT, në 4.5 milionë hyrje që janë regjistruar për gjysmën e parë të vitit, thuajse 99% e tyre kanë hyrë në Shqipëri për të kaluar pushimet ose për të kryer vizita te të afërmit. Ndërkohë që një rritje me 58.7% ka pasur edhe udhëtimi për arsye biznesi dhe profesionale.
Sa i takon shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit, në 6 muajt e parë të vitit 2024 raportohen mbi 3.6 milionë dalje të shtetasve shqiptarë. Shifrat tregojnë një rritje me 11.5% të shqiptarëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë jashtë shtetit në muajin qershor dhe t’i kalojnë pushimet në Turqi ose Greqi, dy prej destinacioneve më të preferuara momentalisht për shqiptarët. Në një kohë kur çmimet në jugun e Shqipërisë kanë kapur majat, shumë shtetas shqiptarë e shikojnë më të leverdisshme që t’i kalojnë pushimet verore në një prej destinacioneve të huaja.