Nga Carlo Bollino
Që kur Partia Demokratike, 11 vite më parë, humbi pushtetin duke kaluar në opozitë, nisi të pretendojë një mbrojtje speciale pikërisht se ishte “opozitë”. Një pretendim që e kërkojnë nga të gjithë: Shoqëri civile, opinion publik, ambasada e natyrisht nga mediat. Cilido që refuzon të mbështesë opozitën e Sali Berishës etiketohet si tradhëtar apo si i korruptuar nga kryeministri Edi Rama.
Eksperienca e Francës tregon se sa pa kuptim është një pretendim i tillë dhe si ndodhi që faktikisht një komb i tërë mund të mobilizohet jo kundër qeverisë, por tamam kundër opozitës. Një reagim vetëmbrojtje kolektive që ndodh kur konsiderohet që opozita (në rastin e Francës e përfaqësuar nga ekstremi i djathtë i Marine Le Pen) është më e rrezikshme se qeveria. Në Francë votuan kundër opozitës së Le Pen edhe ata që nuk e duan qeverinë e Macron, duke mbështetur koalicionin e majtë që në turin e parë kishte humbur. Tani vendi është i ndarë në tre blloqe politike, por dy të tretat e Francës festuan të bashkuar faktin se shmangën rrezikun për t’ja dorëzuar pushtetin një opozite ekstremiste, të dhunshme dhe anti-perëndimore.
Gjendja e Francës është shumë e ngjashme me atë të Shqipërisë. Opozita që tashmë ka rënë përfundimisht në duart e Sali Berishës, e tremb popullin shqiptar ekzaktësisht si Le Pen tremb popullin francez. Organizimi i protestave të vazhdueshme nëpër sheshe me akte dhune kundër institucioneve në kulmin e sezonit turistik, ndikon në rëndimin e imazhit të frikshëm të kësaj opozite duke mbajtur gjithnjë larg atë elektorat gri që në Francë edhe duke qenë kundër qeverisë, preferoi të votonte ish-komunistët vetëm e vetëm për të mbajtur larg Le Pen nga pallati i Elizeut. Kushdo është më pak i rrezikshëm se sa opozita-Le Pen për shumicën më të madhe të francezëve. Gjithashtu, kushdo është më pak i rrezikshëm nga opozita-Berisha për pjesën më të madhe të shqiptarëve. Akuzat për korrupsion nuk mjaftojnë ta shuajnë frikën nga kërcënimi i lirisë dhe nga politika e urretjes dhe shpifjes kundër drejtësisë dhe kundër medias.
Pikërisht gjuha shpifëse dhe plot urrejtje e kërcënime që Sali Berisha dhe çeta e tij vazhdojnë të drejtojnë kundër kujtdo nuk i mbështet, është bumerang që përditë copëton imazhin e vetë atyre dhe besimin e njerëzve. Duke përhapur frikë, nuk mund të fitosh konsesus, të paktën jo në vitet Dymijë, ku socialmediat në duart e të gjithëve dëshmojnë se si funksionojnë demokracitë përtej kufijve ku jetojnë.
Berisha është i lirë të vazhdojë të protestojë, të kërcënojë e të shpifë pasi kjo është e vetmja mënyrë se si ai e koncepton jetën e tij personale dhe politike. Por ama, pikërisht për këtë arsye do të jetë përherë e më i vetmuar dhe do të vazhdojë të humbasë. Në vitin 2005 u tregua shumë i zoti të vishte maskën e opozitorit të moderuar që e bëri popullin të harrojë grabitjen kolektive të bërë përmes firmave piramidale si dhe luftën civile që bashkë me Gazideden thuri kundër kursimtarëve në revoltë. Tremijë të vdekur që presin ende drejtësi.
Këtë herë Berisha ka vendosur të mos veshë asnjë maskë. Beson se 11 vite në opozitë e kanë pastruar nga krimet e kryera kur ishte në qeverisje dhe kur e ndjente veten të autorizuar jo vetëm të vidhte dhe të përulte shtetin ndaj nevojave të tij familjare, por deri edhe të qëllonte mbi protestuesit dhe të vriste. Berisha sot është i bindur se mund të vazhdojë të tregojë fytyrën e tij autentike, që është ajo e egra, anti-drejtësi dhe anti-perëndimore dhe të vazhdojë të shpifë ndaj kundërshtarëve, vetëm se nuk po duron dot më të qëndrojë në opozitë dhe se beson se qeverisja i takon me detyrim. Edhe Marine Le Pen në Francë kishte të njëjtën bindje. I vetmi ndryshim është se deri edhe ekstremistët francezë e pranuan humbjen zgjedhore, akt përulësie demokratike që ekstremisti Sali Berisha nuk njeh dhe nuk do ta kryejë kurrë.