Një 60-vjeçar shqiptar është arrestuar në SHBA për ngacmim seksual ndaj një të miture. Raportohet se Skënder Halili 60-vjeç, tentoi të ngacmonte disa herë një 10-vjeçare në pishinën e kompleksit të apartamenteve ku jetonte.
Ngjarja ka ndodhur në pishinën e Villa Laguna në kompleksin SoLé Mia, që ndodhet në adresën “2200 SoLé Mia Square Lane” në Majami.
Një dëshmitar i cili ka parë të gjithë ngjarjen nën pishinë përmes syzeve të ujit, tha se Halili kapi këmbën e të miturës nga poshtë në një përpjekje për të prekur organin gjenital të saj mbi rrobat e banjës.
Mësohet se 60-vjeçari është babai i fotografit të njohur të VIP-ave, Klevin Halili. Ky i fundit nuk ka bërë ende asnjë reagim lidhur me ngjarjen.
Kujtojmë se Klevin Halili është cilësuar si miku i Trejsi Sejdinit, i cili e ndihmoi atë të tërhiqte në SHBA, 500 dolliarë që ia kishte dërguar personazhi i botës së krimit, Leonard Duka.
Sipas autoriteteve, kamerat e sigurisë kapën “ndërveprime të shumta” midis të dyve, por thanë se prekja ndodhi nën ujë dhe nuk ishte “veçanërisht e dukshme”.
E mitura kur u pyet lidhur me ngjarjen tha se Halili pozicionohej qëllimisht afër lodrave të saj për ta kapur.
Policia tha se Halili e kapi të miturën nga beli dhe e vuri në prehër dhe i kapi të pasmet mbi rrobat e banjës, por 10-vjeçarja u mundua të largohej me not.
Nuk specifikohet se kush e thirri policinë, por autoritetet thanë se Halili ishte ende në pishinë kur arritën në vendngjarje.
Gjatë një interviste në stacionin policor të Majamit, autoritetet thanë se Halili, përmes një përkthyesi shqiptar, i tha policisë se ai mund ta kishte prekur gjatë notit, por tregoi se ishte aksidentale.
Policia tha gjithashtu se një natë më parë, vajza raportoi se Halili e kishte “shtypur” në këmbë teksa po notonte, por besonte se ky ishte incidenti i vetëm i paqëllimtë.
Policia arrestoi Halilin me akuzën e veprës penale për ngacmim të turpshëm dhe të pamoralshëm të një fëmije nën 12-vjeç dhe tentativë ngacmimi i dhunshëm ndaj një fëmije nën 12 vjeç, si dhe dy akuza për kundërvajtje.