Disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura vitet e fundit, janë të lidhura në një mënyrë apo në një tjetër me emrin e tij, Adriatik Kalemi. Ky i fundit është një emër i njohur për policinë shqiptare prej më shumë se 20 vitesh, ndërsa vitin e kaluar i shpëtoi dy atentateve në shtetin grek. Fatkeqësisht nuk ndodhi njësoj mbrëmjen e djeshme, ku dora e krimit i vrau babanë e tij, Shyqyri Kalemi, dhe i plagosi xhaxhanë Arturin.
Kalemi, i cili njihet edhe me emrin Adriatik Kalemi, ka një dosje të mbushur në policinë shqiptare, ndërsa përfshirja e tij në veprimtari kriminale daton që në vitin 2001. Ai u arrestua në një operacion ku morën pjesë edhe forcat RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje nga autoritetet belge. Kalemi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij, Fatmirin, kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan dhe Adriatik Çaça. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në Anderleht më 13 Prill 2001.
Pas 16 vitesh, në 2017-ën ai u arrestua sërish. Së bashku me 2 persona të tjerë, duke qenë të dehur, kundërshtuan punonjësin e policisë. Një person i katër që ishte me ta goditi me shufër hekuri në kokë policin. (lexo PROFILIN per Adriatik Kalemin).
5 vite më vonë, atij i ekzekutuan nipin e tij, Aleksandër Sadikajn. Atentati ndodhi pranë rrethrrotullimit të TEG-ut, ndërsa për vrasjen e Sadikaj u përdor shpërthimi me eksploziv në distancë, një prej ngjarjeve më të rënda për nga mënyra e ekzekutimit në Shqipëri.
Disa muaj më vonë, në Tiranë u ekzekutua biznesmeni Edmond Papa. Kjo vrasje ndodhi si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sadikajt. Për vrasjen e Papës dyshohet se kanë marrë pjesë dy shokët e Andrea Kalemit. Albano Velo u arrestua, ndërsa tjetri, Andrea Bode është shpallur në kërkim.
Prokuroria ka dalë në rezultatin se Andrea Kalemi ka lidhje të ngushta shoqërore me Velon dhe Boden. Ata kanë pasur dyshime të vazhdueshme se vrasja e të riut Sadikaj u organizua në Sarandë, pikërisht në hotelin e Edmond Papës.
Ndërkohë që në Janar të këtij viti, një tjetër ngjarje e rëndë synonte eleminimin e një tjetër anëtari të familjes Kalemi. Bëhej fjalë për vëllanë e Andrea Kalemit, Zamirin, i cili i shpëtoi një atentati ndërsa ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip smart në afërsi të zonës së Selitës në Tiranë. Zamir Kalemi mbeti i plagosur por fatmirësisht pa pasoja fatale për jetën.
Andrea Kalemi rezulton që të jetë edhe pronar i disa kompanive të ndryshme që merren me tregti mallrash industriale, ushqimore, bujqësore dhe blegtorale. Në emër të tij janë edhe një bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele, agjenci të pasurive të patundshme, agjenci transporti dhe mallrash brenda dhe jashtë vendit si dhe aktivitete të ndërtimit. Ai ka edhe një kompani pastrim gjelbërimi. Në vendlindjen e tij, në Memaliaj, Kalemi rezulton të ketë një bujtinë.