Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Mat ka nisur nga puna duke ofruar shërbim për të gjithë qytetarët e Burrelit dhe Klosit. Një drejtori e mirëfilltë e cila ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për drejtuesit e automjeteve.
Afro 15 mijë drejtues mjetesh dhe rreth 7 mijë automjete do të marrin shërbim në këtë drejtori, pa qenë e nevojshme të udhëtojnë më drejt Dibrës, duke kursyer kështu kohë, si dhe ulur kostot.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ilir Mengra, si dhe kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj vizituan nga afër ambientet e DRSHTRR.
“Do kryen të gjitha shërbimet, si në çdo drejtori rajonale tjetër. Kemi krijuar të gjitha kushtet që punonjësit, por edhe qytetarët që marrin shërbim, të jenë në kushte komode. Këtu qytetarët mund të kryejnë të gjitha shërbimet që nga regjistrimi i mjetit, kontrolli fizik, kontroll teknik, pagesën e taksave dhe çdo veprim tjetër që ata kanë me dosjen e mjetit apo çdo veprim tjetër të cilin më herët e kryenin në Peshkopi”, sqaroi Mengra.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se pavarësisht se janë të ndara në mënyrë rajonale dhe me qarqe, për shkak të distancës mes Peshkopisë dhe Burrelit, si dhe për shkak të numrit të automjeteve, u vendos hapja e një drejtorie në Mat në mënyrë që qytetarët të mund të aksesojnë shërbimet më pranë vendbanimit të tyre.
“Me hapjen e kësaj qendre këtu do të përfitohen miliona minuta të humbura, por edhe para të shpenzuara në karburant për të gjitha ato automjete të cilat ishin të dislokuara në Mat, por shkonin të merrnin shërbimet në Dibër”, u shpreh Balluku.
Është kënaqësi gjithmonë që të ndihmojmë qytetarët dhe të adresojmë problematikat, vijoi më tej Balluku duke shtuar se DRSHTRR Mat lehtëson jo vetëm qytetarët, por edhe shumë prej kompanive të biznesit që operojnë në të dyja bashkitë.
“Janë vendime që merren në bazë të analizave duke parë numrin e automjeteve, duke parë distancën, duke parë kompleksitete të tjera. Por unë besoj që ata që e vlerësojnë më shumë do të jenë bizneset pasi zona ka numër të shtuar të automjeteve të rënda të cilat sigurisht janë komponent i disa bizneseve të Matit dhe kishte dhe kosto financiare në bizneset e tyre, ishin pesha që ata mbanin përsa i përket të gjithë pjesës së marrjes së shërbimeve nga DRSHTRR-ja e Dibrës”, deklaroi Balluku.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj tha se hapja e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor është një ndihmë e madhe për të gjithë qytetarët e kësaj bashkie, pasi nuk ju duhet më që të udhëtojnë drejt Dibrës për të marrë shërbimet që lidhen me automjetet e tyre.