Armando Broja është ende në pritje që të mësojë se cila do të jetë e ardhmja e tij, e cila me siguri është larg Chelseas, ku nuk do të ketë hapësira nën drejtimin e trajnerit Enco Maresca.
Klubi londinez e ka nxjerrë zyrtarisht në shitje dhe për Brojën kanë shfaqur interesim disa skuadra. Por së fundmi, ka dalë në skenë një klub i Premier League ku Broja mund të bëjë mjaft mirë, pasi do ta ndjente veten si në shtëpi.
Klubi i Southampton, ku futbollisti shqiptar luajti tre sezone më parë, është gati ta afrojë sërish në ekip.
Sipas “Sky Sports”, trajneri Russell Martin është një admirues i sulmuesit dhe është i bindur se Broja do të shtonte forcën në sulmin e ekipit i cili u ngjit nga Championship në fundin e edicionit të kaluar.
Broja luajti në sezonin 2021-2022 te Southampton, i dhënë huazim nga Chelsea, duke shënuar 9 gola me fanellën e kësaj skuadre.