Flamur Noka, me cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, përmes një letre drejtuar Lulzim Bashës, i kërkon që të dorëzojë brenda 3 ditësh adresat në rrjetet sociale (Instagram dhe Facebook) të Partisë Demokratike, sikundër të mos përdorë logon e PD-së.
Përmes letrës, ku Bashës i drejtohet si deputet, Noka i kujton vendimin e Gjykatës së Apelit të 11 qershorit, që i ka kaluar logon dhe vulën grupimit të drejtuar nga Sali Berisha.
Gazetari Osman Stafa raporton për Balkanweb se Sekretari i Përgjithshëm Noka kërkon nga deputeti Basha që të mos përdorë asnjë aset të Partisë Demokratike, të dorëzojë llogaritë bankare në emër të kësaj partie, sikundër të mos përdorë fondet që i përkasin kësaj partie, për pagesat e zyrave me qera.
Në letrën e tij, Noka i kujton Bashës se nëse do të ndërhyjë në asetet e PD-së do të përballet me një kallëzim penal në SPAK.