Ndonëse ka qenë një nga kallëzuesit në SPAK të kontratës koncensionare të shërbimit të sterilizimit si përfaqësues i Nismës Thurje, Pano Soko në dëshminë e sotme dhënë Komisionit Hetimor Parlamentar, ka treguar se informacioni që ka për këtë çështje është i mangët e në disa raste i pavërtetë. Soko habiti jo pak anëtarët e komisionit kur tha se kallëzimin në SPAK nuk e kanë bërë mbi gjërat që ata dinin.
“Denoncimi nuk bëhet mbi ato që unë di, denoncimi bëhet mbi ato që unë dyshoj. Unë mund të di shumë gjera. Ajo që më bën të dyshoj është elementi. Nuk kemi vënë aty gjithë informacionin që dinim, por vetëm një esencë. Kur jam thirrur në SPAK kam dëshmuar aty për të gjitha gjërat që unë di”, u shpreh Soko.
Deputetja Milva Ekonomi i tha mes të tjerash se ajo që ju shkruani në denoncimin tuaj nuk qëndron nga pikëpamja kohore. Duke e pyetur nëse Soko e njihte kontratën koncensionare, ai tha se nuk e kishte parë origjinalin.
“Kam parë pjesë të kontratës. Nuk e kam parë kontratën origjinale. Kam parë fotokopje, kam marrë informacion mbi kontratën”, tha Soko.
I pyetur nëse e njihte apo jo përqindjen që zë kjo kontratë koncensionare në buxhetin total të shërbimit spitalor, përfaqësuesi i Nismes Thurje tha se nuk e dinte.
“Jo nuk e di se sa është përqindja. Nuk kam qenë ndonjëherë i interesuar ta di sepse nuk ishte ky qëllimi”, tha Soko.
Deputetja Ekonomi e “nxori zbuluar” Sokon edhe kur e pyeti për çmimin e setit kirurgjikal.
“Në bazë të referencave që morëm nga kontrata koncensionare dhe nga ato që përdorin spitalet, setet shkojnë 99, 199 dhe 299 euro”, tha Soko.
Por Ekonomi e kundërshtoi duke i argumentuar pse çmimi mesatar ishte shumë herë më i ulët, rreth 140 euro për set.
“Në fakt po të shihni kontratën koncensionare, çmimet e seteve sipas nivelit të kompleksitetit. Cmimi mesatar në lekë del 19600 lekë. Duke përdorur kursin e këmbimit të vitit 2015 kur bëni kallëzimin, vlera e setit shkon 141 euro dhe jo 200 euro. Kjo është diferencë e lartë”, i tha Ekonomi.
Mes të tjerash në dëshminë e sotme në Komisionin Hetimor, Pano Soko çuditërisht nuk mbante mend as mjekët që i patën thënë se nuk është kjo forma e duhur për shërbimin e sterilizimit.