Banorët e Memaliajt janë zgjuar të tronditur mbrëmjen e sotme, nga atentati që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku humbën jetën 3 persona. Duke folur për mediat, njëri prej banorëve të kësaj qyteze, shpreh tronditjen nga ngjarja, ndërsa thotë se njëri nga të vrarët në atentat ishte punonjës në lokalin ku ndodhi krimi. Ai shprehet se nuk ka dëgjuar të shtëna mbrëmjen e djeshme, ndërsa ngjarjen e ka mësuar rastësisht teksa ka qenë duke kaluar pranë vendit të ngjarjes.
Banori: Të 3 i njoh, të 2 djemtë dhe personin tjetër. Njëri nga ata çunat punonte aty, kurse njëri vinte rastësisht. Jemi tronditur shumë fare. Të vriten 3 veta është kiamet i madh, çfarë thua. Nuk ka ku të vejë më. Nuk dëgjova mbrëmë të shtëna. Sot e mora vesh, kur kalova aty vërdallë dhe kur pashë policinë.
Sipas informacioneve paraprake, objektiv i atentatit të mbrëmjes së djeshme ka qenë Shyqyri Kalemi (babai i Andrea Kalemit), ndërsa mbetën të vrarë dhe Marsel Cela, 47 vjeç, si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje si pjesë e sagës së ngjarjeve të ndodhura që prej 11 Qershorit të vitit 2022 kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj. Pas ngjarjes policia ka gjetur të djegur makinën e autorëve në zonën e Mallakastrës, ku brenda saj janë gjetur dhe 3 armë që dyshohet se u përdorën në krim.