Mjeku dhe akademiku i njohur, Prof. Dr. Ylli Popa, me origjinë nga një familje e njohur me tradita intelektuale nga qyteti i Elbasanit, i diplomuar për Mjekësi në Bukuresht dhe në Moskë, në fundin e viteve ’50-të, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë dhe themelues i shkollës shqiptare të Kardiologjisë, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nga viti 1997 deri në 2007-ën, ish-deputet i Kuvendit Popullor para viteve ’90-të, i dekoruar me medalje dhe urdhra të ndryshme, si dhe me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, në vitin 2007, një rrëfim të gjatë për jetën dhe karrierën e tij si mjek dhe akademik, ka treguar për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”. Në rrëfimin e tij, Prof. Popa, është ndalur gjatë, duke treguar si u bë mjek i Enver Hoxhës, si mjekohej diktatori, takimi me Nexhmijen e Ramizin natën e fundit kur vdiq Enver Hoxha dhe si u njoftua lajmi etj. Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh intervista e tij që po e publikojmë në disa numra.

(Vijon nga numri i kaluar)

Ylli Popa: Pastaj na thotë Nexhmija që më kërkon Enveri lart, ishte në shtrat Enveri, sipër. Edhe na tha që ne të vazhdojmë, se do të vinte shpejt. Bajrami vazhdoi të bënte shpjegimin e tij, kjo rastisi me ilaçin, që na dha profesori në Vjenë, e nxori ilaçin edhe ia dha Ramizit. Nexhmija nuk ishte aty, ishte sipër. Ramizi e mori ilaçin, e pa.

Ishte pa etiketë, pa emër, një tapë që mund të hapej, edhe i thotë Bajramit, pasi pa një herë nga dera: “Fute në çantë ilaçin”. U çudit Bajrami, se ishte njeri shumë i ndershëm edhe i thotë Ramizit, që; “ishte një profesor i madh, e ka provuar këtë ilaçin dhe ka veçori të mira”. Ramizi pa prapë nga dera dhe i thotë përsëri: “Bajram, fute në çantë atë ilaçin”. Nuk donte ta shikonte Nexhmija.

Për çfarë arsye?

Jua tregoj unë përse…! Pastaj herën e tretë po ashtu, i tha: “O Bajram, fute ilaçin se ta shpjegoj unë se si është puna”. E mori ilaçin Bajrami dhe e futi në çantë. Pastaj erdhi Nexhmija edhe nuk e pa këtë skenë. “O Bajram, – i thashë kur dolëm jashtë, – se ai përsëri edhe jashtë filloi të shpjegonte, duke më thënë që; ti e pe vetë se ai ishte i zoti në punën e tij, e kështu.

“O Bajram, – i thashë, – nuk është problemi i ilaçit, por ky ilaç, po t’i jepej shokut Enver tani, ai është në fund të jetës dhe nuk ka çfarë mund t’i bëjë një ilaç”. I thashë ashu, se pastaj do të fillonte “muzika”, se “çfarë i dhatë, çfarë ilaçesh i dhatë”, sepse do të lidhej fundi i tij, me ilaçin pastaj.

Dhe ju do akuzoheshit, që e helmuat…?!

Ramizi e kapi këtë punë. Unë e pyeta më pas Ramizin; nëse do të na shpëtosh ne?! “Po, po”, – më tha.

Kur u përkeqësua gjendja e Enver Hoxhës? Kur e mësuat lajmin që ai po vdiste?

Shenjat e parkinsonit, u theksuan shumë. Ai kishte periudha, ku nuk mund të ngrinte dot as dorën mbi kokë, por nga ana mendore ishte në rregull.

Kur ka vdekur realisht?

Enveri ka vdekur më duket në mbrëmje. Madje, ndodhi që ishte me perfuzione, në atë kohë që ishin të domosdoshme për të mbajtur të ngritur tensionin e gjakut etj., etj. Punonin infermierët, mjekët e tjerë, po ashtu ishin të shpërndarë. Aty në dhomë u ndodha unë dhe Petrit Gaçja, kur vdiq Enveri. Ne e konstatuam këtë dhe e dinim që te dhoma fqinj, ishte Ramiz Alia me një anëtar të Byrosë Politike atëherë.

Edhe atëherë na thanë që; duhet t’i thuash shokut Ramiz. Shkuam atje dhe ata prisnin pas derës edhe na pyetën: “Hë si është…”?! I thotë Petriti që; “Shoku Enver, mbaroi”. Atëherë ky anëtari i Byrosë, i thotë Ramizit: “Të na rrojë Partia”. Ishte formulë kjo në atë kohë. Me një interval disa sekondash i thotë: “Të rroni ju shoku Ramiz”.

Cili ishte ky anëtar i Byrosë?

Hekuran Isai.

Pra, që në momentin që Enver Hoxha vdiq, kishte ardhur drejtuesi i ri…?!

Edhe unë këtë kujtova. Atë të Luigjit XIV-të; “Mbreti vdiq, rroftë Mbreti”.

Mbas kaq kohësh, jeni i sigurt profesor, që nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për vdekje të parakohshme të Enver Hoxhës?

Jo, jo, asnjë. Këtë e vërtetoi autopsia. Shyqyr që u bë autopsia, sepse nuk u bë autopsia e Mehmet Shehut, ka fjalë sa të duash tani.

Ju keni qenë mjeku i tij dhe keni qëndruar 12 vjet mjek i Enverit. A e ndani tani, mjekimin si një pacient, nga aksioni i tij politik, a jeni kritik ndaj aksionit të tij politik, si një ndër njerëzve më diktator të Shqipërisë?

Po. Madje unë e rekomandoj këtë, ato që prononcohen ndryshe dhe shkruajnë ndryshe. Duhet ndarë veprimi mjekësor, nga veprimi politik.

A kishit rezerva politike për Enver Hoxhën, në atë kohë?

Po, kisha rezerva. Edhe kishte, se po ta mendoje, unë personalisht, nuk isha dakord me egërsinë e luftës së klasave, nuk isha dakord me politikën ekonomike, me izolimin e vendit. Kishte edhe shumë gjëra, që u bënë mirë, duke filluar nga drita elektrike dhe uji.

Guxonit t’i thoshit ndonjë nga këto rezerva Enver Hoxhës?

Jo, nuk hapesha, as nuk diskutohej.

Ylli Popa: Si e kam njohur dhe si ka ndryshuar Berisha!

Akademiku i njohur, Prof. Dr. Ylli Popa, në këtë intervistë, ka rrëfyer edhe njohjen me ish-kryeministrin dhe presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, bisedat për sistemin komunist dhe veprimet e Ramiz Alisë në vitin 1990. Si shkroi Prof. Popa, artikullin “Në kërkim të kohës së humbur” në “Zërin e Popullit”. Etj.

Profesor Ylli, ju keni qene deputet i Kuvendit Popullor, para viteve ’90-të, si ndodhi?

Unë kam qenë njeri që punoja shumë. Ato kërkesa që duheshin për atë punë, unë i plotësoja. Por ka të ngjarë, që edhe Enveri të ketë ndikuar, mund të ketë qenë edhe porosi.

Ne cilin vit jeni zgjedhur deputet?

Kanë qenë dy legjislatura, 1982-1986 dhe 1987-1991.

Në cilin vit e keni njohur ish-kryeministrin dhe presidentin e Shqipërisë, Sali Berishën?

Qe kur ka qenë student. Që në vitet ’70-të.

Cilat kanë qenë raportet tuaja, me të?

Raporte shumë, shumë, të mira.

Në ç’kuptim?

Po, sepse mua Saliu, më pëlqente në atë kohë. Ishte një djalë shumë energjik, shume punëtor, lexonte shumë. Unë i kam dhënë shumë libra atij, që ishin libra të ndaluar të kohës, domethënë. Për shembull, i kam dhënë; “Pavijonin e kancerozëve” të Sollzhenicinit, e shumë libra të tjerë, që ai i përpinte, i lexonte me qejf. Prandaj më pëlqente Saliu, se ishte multilateral, në këtë drejtim.

Si ishte cilësia e tij si mjek?

Ishte e mirë. Edhe për të sëmurët, interesohesh, edhe për kërkim shkencor.

A ka qenë ndonjëherë Sali Berisha, në grupin mjekësor të Enver Hoxhës?

Jo, nuk ka qenë.

Në asnjë rast?

Jo. Në asnjë rast.

Po interes politik, shprehte në atë kohë?

Me Saliun, unë bisedoja. Ishim kritikë për shumë gjëra. Po unë e theksoj këtë që, duhet me e ndarë pozitën tonë politike, ose mendimin tonë, gjykimin tonë, për mendimin e të sëmurit dhe çfarëdo që do të përfaqësojë ai në vetvete. Për neve, i sëmuri është i sëmurë, kushdo qoftë.

Cili ishte mendimi juaj për regjimin, a kishte kritika, a bisedonit me njeri-tjetrin, a e kritikonit regjimin në biseda in-formale me njeri-tjetrin?

Bisedonim me nuanca. Pastaj nuk kishte ndodhur, që të bisedonim me shumë njerëz. Do të bisedosh me një, edhe me atë mund të bisedosh hapur, ndërsa me një tjetër, mund të bisedosh pak më mbyllur. Por, unë me Saliun, bisedoja hapur.

Rreth ç’vite bëhet fjalë, që në fillim?

Që në fillim, pothuajse që në fillim.

Si kanë qenë raportet tuaja, të mëpastajme?

Jo si përpara. Sigurisht, ai u mor me politikë, unë vazhdova në rrugën time, ai kishte preokupimet e tij dhe kohë nuk kishte më, që të takoheshim, që të bisedonim. Por, edhe kur u bë President, unë isha te Komiteti i Helsinkit, shkoja te zyra e tij e, pija ndonjë kafe atje, me Kujtim Çashkun, me shokë të tjerë të Komitetit të Helsinkit. Pas viteve 1994, pati një ndryshim. Unë them që Saliu i atyre viteve, nuk është më ai, i asaj kohe.

Në ç’kuptim?

Të këtyre kontakteve tona, të këtyre bisedave tona. Pastaj unë them që Saliu ka ndryshuar shumë. Në sensin që kur Saliu mendohet, se duhet bërë një reformë në Akademinë e Shkencave, jemi dakord, ti je kryeministër dhe të lejohet të bësh këtë. Por, unë kam 10 vjet që drejtoj Akademinë e Shkencave dhe kam filluar reformën në Akademinë e Shkencave, bashkë me koleget e mi të Kryesisë, që javën e parë kur ne u emëruam këtu.

Sepse neve donin të na emëronin, kurse ne thamë; jo, do të ndryshojmë rregulloren e kësaj akademie dhe do ta demokratizojmë. Do të bëjmë zgjedhje të fshehura dhe aplikuam këto ndryshime. Saliu as nuk pyeti, të më thoshte domethënë: “O Ylli, do të bëj një reformë, ti si mendon”? Unë, tre herë kam kërkuar me letër nga Akademia e Shkencave, me firmën time, i kërkoja takim, asnjëherë nuk mora gjë.

Saliut duket i kanë transmetuar disa kritika në drejtim të punës së tij shtetërore. Por, unë këtë nuk e ndryshova, kështu isha edhe në kohën e Enverit, me Saliun. Unë me Saliun, bisedoja për gjëra që ishin kundër regjimit. Që në kohën e Enverit. Pse, unë do të ndryshoja tani, do të kisha frikë nga Saliu?!

Kanë qenë kritika publike, apo jo?

Me shokët këtu, me njerëzit. Në shtyp jo. Ka diçka, diçka kam folur. Te ne ka denoncues, sa të duash. Nuk doja t’i bëja publike këto marrëdhënie, për shkak të raporteve që unë kam pasur me Saliun.

Por, të veprosh në këtë mënyre, tani ka ndodhur skandali më i madh në Akademinë e Shkencave. Tani ky institucion, me ligjin e dytë që ka dal pas këtij viti, sepse doli një ligj që reformonte, që u morën institutet, u quajt se institutet i ka Akademia Sovjetike, tipi bolshevik, kështu është shprehur.

Kur e dëgjova në Parlament një natë, që foli Neritan Ceka, në mbrojtje të Akademisë dhe dëgjoj Saliun, që thotë se ajo është Akademi e tipit sovjetik, etj., etj.! Thashë unë: “O bo bo, mua më akuzon Saliu, që dashkam të mbaj një Akademi të tipit sovjetik”?!

Kjo është çështje personale profesor, që lidhet me konceptet?

Nuk e di.

Profesor, një nga gjërat të cilat ka mbetur një pjesë e rëndësishme e historisë së transformimeve në Shqipëri, është artikulli që ju botuat në gazetën “Zëri i Popullit”, në dy numra. Bëhet fjalë për një artikull të botuar në prill të vitit 1990. Si ju lindi ideja, për këtë shkrim?

Ti më kujtove mua diçka tjetër, që unë dua ta përmend këtu, sepse, nuk mund ta përmend në asnjë vend tjetër. Dy vjet përpara këtij artikulli, pra; “Në kërkim të kohës së humbur”, që bëri bujë në atë kohë, unë kam shkruar një artikull tjetër, në mars të vitit 1988. Edhe ai shkrim, paraqiti shumë interes në atë kohë, çuditërisht për mua. Si ishte puna…?

Na thotë drejtori i spitalit, ishte zakon atëherë në spital, që një herë në javë, shefat e klinikave, mblidheshin dhe diskutonin për probleme të ndryshme, se po afron koha, që duhet bërë raporti vjetor i spitalit. Unë u çova dhe thashë që; “nuk jam dakord me këtë raport vjetor, ne i kemi bërë raportet për çdo klinikë të veçante dhe mua nuk më intereson se çfarë problemi ka dermatologu, apo okulisti. Për mua është humbje kohe, i thashë, prandaj nuk do të marr pjesë në këtë”.

“Po jo, duhet të bëhet”, – më thoshte ai, edhe unë i thosha që; nuk bëhet, e ngulja këmbë. Një natë më merr në telefon, pas dy-tre ditësh. “Shiko – më thotë, – se do të vijë shoku Manush Myftiu, do të vij në mbledhjen tonë, të lutem shumë, ju jeni klinika më e madhe në spitalin tonë dhe ju keni rezultate, – më thotë drejtori, – merrni pjesë në këtë”. U ula për gjithë natën edhe shkrova, nuk fjeta fare. Shkrova një artikull dhe doli në gazetë.

Por, para se të dilte në gazetë, shkuam atje, në një sallë të madhe, i gjithë spitali, mjekët e infermierë. Kishte ardhur sekretari i parë i rajonit. Është vëllai i ambasadorit tonë, që kemi pasur në Greqi, herën e fundit. U ulëm aty në një tavolinë të gjatë dhe lexova shkrimin tim, e pati shume sukses. Ai shkrim ishte ndërtuar në dy pjesë, njëra ishte, jo thjesht për kardiologjinë, por edhe për probleme të tjera shëndetësore, ndërsa në pjesën e dytë, unë kisha kapur kryesisht aftësinë dhe paaftësinë e kuadrit.

Unë e kisha kryesisht, për klinikat ose për mjekët, shefat në atë kohë që merrnin kuadër të dobët, sepse të dobëtin e komandoje më lehtë, kurse më të aftin dhe më të zotin, do të kishte më shumë probleme. Unë nuk pyesja fare për problemet e tyre, merrja gjithmonë kuadro të mira. Mirëpo, duke e trajtuar në këtë mënyrë, unë kalova edhe pak kufijtë e spitalit, e kapa dhe si parti, si shtet, kuadrot në përgjithësi, si caktoheshin.

Kur u ktheva unë në vend, thotë ky Hajro Zeneli, që ishte sekretar i parë i rajonit: “Profesor, mirë ishte kjo, por duhet të kesh bërë shumë armiq, me këtë referatin”. “Armiq nga kush”, i thashë unë. “Nga të paaftët, – më tha, – se i godite më shumë”. “Nuk më shqetëson, – i thashë, – se i paafti nuk e kupton dhe është i paaftë”. Në fakt, edhe kur dolëm jashtë, njerëzit që më dhanë të parët dorën, për fjalimin e mirë, ishin të paaftit. Këtë artikull e morën. Ishte Musa Ulqini, që ishte gazetar te “Zëri i Popullit”.

Ishte çun i ri dhe vinte shpesh në spital, për të kërkuar artikuj, pasi mbulonte shëndetësinë. Unë vetë nuk shkruaja dhe e dërgoja te kolegët e mi. Pastaj jo vetëm kaq, por mbas dy ditësh, më thonë që; na lejo që këtë artikull, ta përkthejmë në anglisht dhe frëngjisht, për t’ia dhënë revistës “Albania Nouvelle”, që ishte për botën e jashtme. Pastaj më thirrën në një zyrë në Komitetin Qendror të PPSh-së dhe më përgëzuan për këtë. U habita edhe vetë, se ç’ishte ky reagim. Sidoqoftë, dukej që partia në atë kohë, donte një mbështetje, që ka edhe zëra një çikë kritike, me të ndryshëm, në ambientin tonë.

Kurse për shkrimin “Në kërkim të kohës së humbur”, u stimulova nga një Plenum i Komitetit Qendror të PPSh-së, që u bë në atë kohë, në vitin 1990 ndoshta, në muajt e parë. Nuk e di sipas radhëve, por Ramiz Alia në atë kohë dha disa teza më liberale, më të shtendosura. Atëhere unë thashë, që po shkruaj edhe unë diçka dhe filloj të shkruaj. Rastësisht, takoj Teodor Kekon, afër shtëpisë sime, ai ishte në atë kohë në gazetën “Drita” dhe më kërkoi një artikull.

Memorie.al