Në spitalin “Shefqet Ndroqi’ tani ka një aparaturë e re për sëmundjet respiratore. Mjekët e këtij spitali përballuan urgjencat e QSUT pasi e dëmtoi zjarri dhe sipas Ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu skandali në Onkologjik s’mund të njollosë punën e mjekëve të përkushtuar.
Skandali i spitalit onkologjik ku mjekët u zbuluan në pazare me pacientët duke i lënë pa shërbim me orientim për në privat, nuk është fytyra e vërtetë të shëndetësisë, tha ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu nga Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”. Ajo u shprehu mirënjohje për punën me fluksin e urgjencës së QSUT pas dëmeve nga zjarri dhe prezantoi pajisjen më të re, ECMO për pacientët me sëmundje respiratorë.
“E di që shumë nga ju janë cenuar edhe moralisht, nuk e gjejnë veten në atë histori dhe patjetër që nuk besojnë që ajo histori i përfshin të gjithë. Fytyra e vërtetë e sistemit shëndetësor jeni ju që punoni përditë me përkushtim dhe me devotshmëri. Prandaj ajo histori nuk mund ta njollosë bluzën e bardhë të mjekut dhe të infermierit në shërbimin shëndetësor”, tha Koçiu.
Shefi i reanimacionit, Alban Hatibi tha se pajisja me ECMO ose ndryshe një membranë oksigjenuese e cila u shërben të sëmurëve rëndë, është fat.
Aparatura ECMO pompon në mënyrë të vazhdueshme gjakun nga trupi dhe më pas e shpërndan atë përmes pajisjeve që rrisin oksigjenin dhe heqin gazin karbonik deri në momentin e stabilizimin të pacientit.