Kristal Abazaj zyrtarizohet si futbollisti më i ri i Ankara Keciorengucu, skuadrës që garon në divizionin e dytë të futbollit turk.
27-vjeçari mbylli aventurën me Tiranën në Superiore, ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare me klubin e ri.
“Mirë se vjen Kristal Abazaj. Klubi ynë ka arritur marrëveshjen me futbollistin, të cilit i urojmë suksese të mëdha me fanellën tonë”, lexohet në postimin zyrtar të turqve.
Për Abazajn, autor i 2 ndeshjeve me kombëtaren shqiptare, bëhet fjalë për një rikthim në Turqi, aty ku ka luajtur për tri sezone me Istanbulsporin.
Drejtuesit e Keciorengucut po punojnë për ndërtimin e një skuadre pretendente për t’u ngjitur në elitë.
Sezonin e kaluar, Abazaj realizoi 11 gola me Tiranën, duke qenë shënuesi më i mirë i bardhebluve. Dhe i dyti i kampionatit pas shkodranit Bekim Balaj (17).
Sulmuesi i djathtë ka një përvojë të madhe, pasi ka luajtur edhe me Anderlechtin në Belgjikë dhe Osijekun në Kroaci, përveçse Istanbulsporit.
Ndërkohë që në vendin tonë ka veshur më parë fanellat e Elbasanit, Luftëtarit dhe Kukësit.
Abazaj u largua si një lojtar i lirë nga Tirana pas dy edicionesh në kryeqytet.
Ai nuk ia doli të fitonte asnjë trofe me bardheblutë, teksa u shpall nënkampion sezonin e shkuar.