Nga Kreshnik Spahiu.
Ergysi është një infermier nga Lezha i cili punon në një nga spitalet e Berlinit.
Së bashku me të fejuarën punojnë kryesisht në turnin e natës për të përballuar qeranë 1500 euro për një apartament të pa mobiluar rreth
50 metra/2.
Dje Ergysi ishte kthyer nga Shqipëria, ku përcolli gjyshin e tij për në banesën e fundit i cili ndërroi jetë në moshën 90 vjeçare.
Sapo mbërriti, më telefonoi dhe më kërkoi me ngulm të më takonte sepse kishte nevojë për një konsultë juridike.
Ai ishte shumë i shqetësuar. Hidhërimi i vdekjes së gjyshit ishte përzier me shumë probleme që kishin lindur pas vdekjes së tij.
Lleshi ishte një nga më të pasurit e zonës në pasuri të paluejtshme me toka, troje dhe kullota për shkak të pronave të trashëguara.
Ky qe fati i mirë por dhe fati i keq i fëmijëve dhe nipave të Lleshit.
Ergysi ishte shumë i tronditur dhe tregonte me shumë trishtim si morti ishte kthyer në debat për pronat sepse gjyshi nuk kishte lënë testament.
Pas funeralit xhajallarët e Ergysit ishin rrahur dhe plagosur me thika me njëri-tjetrin dhe i kishte arrestuar policia.
Pasi e dëgjova historinë e pyeta: – “Ergys, a ju la ndonjë dokument apo ndonjë amanet të pa shkruar gjyshi përpara se të ndërronte jetë?”
Po – tha Ergyrsi, Na mblodhi para se të jepte shpirt dhe na tha: “Unë po largohem nga kjo botë por me një peng të madh. Amanet në votimet e ardhshme mos më turproni. Votoni partinë tonë se ne i kemi dhanë besën tash 30 vite mos me e tradhëtu”
Mbeta pa fjalë dhe s’po dija të qeshja apo të ulurisja me hallin e Ergysit, që punon turni natës për të mbijetuar dhe gjyshi milioner, para se të vdiste nuk la testament për ndarjen e pasurisë por amanet për votën e partisë.
Nuk di pse mu pështjellua kjo histori me zgjedhjet në Angli, Francë apo Gjermani, ku populli mbi 70% votuan parti të tjera nga ato që kishin votuar më parë.