Nga Ylli Pata
Imazhi i autokolonave të protestuesve me makina të zeza nga rrethet, është në fakt, brendi real i gjendjes së Partisë Demokratike të vulës që drejtohet nga Sali Berisha.
Një tregues mbi gjendjen reale të forcës politike, e cila nga mbështetësit mediatikë të saj konsiderohet shumicë në raport me grupimin e Lulzim Bashës.
Në të vërtetë, situata kur protestuesit apo tubuesit merren nga rrethet, pasi në Tiranë nuk kanë mundësi të mbledhin më shumë se një grusht njerëzish, është zhvillimi politik real në opozitë.
Ajo që ka ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2021 dhe posaçërisht pas shpalljes Non Grata të Berishës, është që strukturat e Partisë Demokratike e pësuan të parat dëmin e “luftës civile”.
Pjesëmarrjen në protesta, tubime, apo aktivitete të ndryshme politike, nuk e kryejnë njerëzit e paangazhuar apo votuesit, elektorati në përgjithësi, por strukturat e organizuara të militantëve. Kjo ndodh jo vetëm tek ne por në të gjithë botën.
Dalja e deputetëve të PD-së nëpër rrugë duke shpërndarë fletushka e përcjellja e tyre nëpër rrjete sociale tregon derexhenë reale të strukturave. PD ka qenë historikisht një parti elektorale, e jo një strukturë organizative piramidale siç është Partia Socialiste në bazë.
Megjithatë, në historikun e protestive të saj, ka treguar se ka basene të rëndësishme militantësh që u kthyen në protestues “profesionistë”. Dikur Sali Berisha ka deklaruar se e rrëzon qeverinë vetëm me demokratët e Bushatit dhe Mamurrasit.
Sot PD-ja e Sali Berishës nuk ka struktura, por vetëm deputetët që për tu vendosur në listën e Berishës në vitin 2025, janë kthyer në organizatorë eventesh dhe protestash. Këto aktivitete realisht, në një forcë të madhe politike, i organizojnë strukturat e bazës, që kështu testojnë dhe afrojnë mes njëri-tjetrit anëtarët. Të cilët janë të domosdoshëm jo vetëm në protesta, porn ë fushatat zgjedhore, kur makineritë e partive tregojnë dhëmbët dhe mobilizojnë votuesit.
Po ku janë realisht anëtarët e PD-së sot, përkatësisht militantët e saj në Tiranë, ku kjo parti ka marrë thuajse gjysmën e deputetëve historikisht? Logjika e ikjes jashtë vendit të gjithë militantëve të opozitës është një legjendë urbane. Votat e zgjedhjeve të 2021 tregojnë qartësisht se përkrahësit janë. Por thjesht ata e kanë bojkotuar kastën drejtuese të opozitës, duke nisur nga Sali Berisha e sidomos deputetët. Të cilët thuajse të gjithë janë kundërshtuar nga degët ekzistuese të PD-së në shumicën e bashkive në vend, e që janë atashuar me grupin e Lulzim Bashës të paktën deri dje.