Nga Endri Kajsiu
Protesta e djeshme e Partisë Demokratike nuk prodhoi asgjë të re, përveçse konfirmoi faktin se grupimi i Berishës, i bashkuar rreth hallit personal të këtij të fundit, mbetet ende një grup i dhunshëm që në çdo moment është gati të shkatërrojë, dëmtojë, grabisë e plaçkisë Shqipërinë.
Flakët dhe molotovët mbi institucionet publike e eksitojnë aq shumë Partinë Demokratike, sa një ditë më pas, gjithë personazhet e saj po krenohen me fotot e zjarrit dhe shkatërrimit që qarkullojnë në median ndërkombëtare. Por kënaqësia e një grushti njerëzish që me vetëdije të plotë keqpërdor të drejtën e protestës, ka një kosto për vetë Shqipërinë.
T’i vësh flakën qytetit në prag të sezonit turistik është kriminale, por të mburresh me krimin tënd në sytë e botës është armiqësore ndaj vendit tënd. Në kushtet kur Shqipëria ka hyrë në një tjetër sezon turistik dhe kur qindra familje shqiptare shtojnë forcat për të mikpritur të huajt, një grusht i vogël njerëzish përpiqen të tregojnë se Shqipëria nuk është gjë tjetër veçse dhunë e shkatërrim.
Teksa qindra familje shqiptare që kanë investuar gjithë vitin, përpiqen të shtojnë të ardhurat nga turizmi i këtyre muajve, një grusht njerëzish përpiqen të minojnë me flakë punën e tyre.
Në fakt, ata që tentojnë të shkatërrojnë turizmin, një nga industritë më të rëndësishme të ekonomisë së vendit, nuk kanë asgjë shqiptare në thelb. Ndaj është e vështirë të besosh se një protestë e tillë lidhet seriozisht me interesin e shqiptarëve të zakonshëm që besojnë te puna, jo te dhuna, që kërkojnë hakun, jo dajakun.
Ajo që pamë dje, nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje agresive që në çdo rast në të kaluarën ka shkuar dhe do të shkojë gjithmonë për kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.