“Pemët kanë rrënjë, njerëzit kanë këmbë”
Nga Ben Andoni
Historia e shqiptarëve është një histori e lidhur shumë me lëvizjen e vazhdueshme të popullit të vet dhe zhvendosje të tjera dhe, të dhënat zyrtare të Censusit-2024 na përballën me tkurrjen e popullsisë në një masë vërtetë shqetësuese. Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit po barazohen pothuajse në numër me ata që jetojnë në vend: në Shqipëri jetojnë rreth 2.4 milionë banorë, kundrejt 2.2 milionëve syresh jashtë vendit. Ishte ekonomia që vite më parë dha shenjat e para të mungesës së fuqisë punëtore, por zyrtarët e morën shtruar. Nga viti 2011 deri më 2021 u larguan nga vendi 214 mijë persona, sipas matjeve të ardhura nga metodologjia e emigracionit neto të INSTAT, por në vitin 2022, fenomeni është bërë më agresiv, pasi bizneset në sektorin e tregtisë konstatonin se kishte rënie të menjëhershme në konsum, teksa të gjithë sektorët, pa përjashtim edhe ai publik, ishin në emergjencë për punonjës (Monitor, 2022).
Problemet e demografisë në kohën tonë janë një lloj destini, ardhur qoftë prej lindjeve të pakta, emigracionit pakufi, por mbi të gjitha edhe i një tendence largimi, që nuk po di të ndalet. Teoria e fituesit të çmimit “Nobel” në ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet për të tjerët të qëndrojnë është pothuajse e vërtetë për Shqipërinë. “Kur në vitin 2019 filloi të ndihej për herë të parë, mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të valës së re të emigracionit, bizneset nuk e morën shumë seriozisht. Përveçse pandemia e ndali përkohësisht vrullin e ikjeve (në vitin 2020 dhe në pjesën e parë të 2021), ato kishin në sirtar planin rezervë: Të merrnin punonjës të huaj, nga vendet më pak të zhvilluara” (Monitor, 2024). Eksperimenti nuk dha arritjet e duhura, kurse vendi ynë tashmë përball probleme demografike, të cilave vendet e tjera i kishin adresuar shumë më herët duke menduar dhe zgjidhje. Ndaj, Censusi-24 me vonesën e shpalljes së rezultateve nuk është se solli ndonjë “shqetësim”, pasi të dhënat që rrodhën apo projeksionet e njerëzve të ndryshme e përcillnin rrudhjen e madhe, ndoshta jo në këtë masë, por vërtetë shqetësuese. Nga ana tjetër, opozita vazhdon të insistojë për shifra edhe më të hidhura, që e bëjnë edhe më të rëndë perceptimin e publikut për të ardhmen e vendit dhe mundësitë që na paraqiten për ta frenuar fenomenin. Lajme aty-këtu apo kronika gjithnjë e më të pakta për jetën e shqiptarëve (një nga handikapët më të mëdha për median shqiptare) e tregojnë hapur këtë fenomen të trishttë, që e shoqëron jetën tonë. Fshatra të tërë të braktisur; të moshuar, që japin shpirt dhe gjenden pas disa ditësh; profesione të harruara; mungesë njerëzish për punë; shërbim mjekësor i rralluar dhe shumë indiferent me pacientë të vetmuar; prodhim vendas i pakësuar; bujqësia që importon në masë e bëjnë shqetësimin sot të madh dhe gati pa rrugëzgjidhje. Ndërkohë braktisja e fshatit, po zhvendos dhe modelin ekonomik të vendit, që dikur mbështetej te krahu i lirë i punës. Gjendja rezulton po kaq pesimiste edhe në botë. OKB parashikon që tendenca e zhvendosjes nga fshati në qytet do të vijojë me ritme të shpejta në dekadat në vijim. Në vitin 2050, vetëm 22% e shqiptarëve do të jetojnë në fshat, aq sa në fakt jetonin në qytet në vitin 1950, duke e përmbysur tërësisht strukturën e popullsisë (Monitor, 2019).
Cili është fajtor për fenomenin: demokracia, qeverisja e keqe, prirja e kohës për të ikur apo BE-ja, që do krahë pune?! Si mund të kthehen shqiptarët në atdhe? Në artikulimet e sotme, sidomos të opozitës, po nisin të shfaqen më të shpeshta kauzat me temat për rikthimin në Shqipëri, paçka se ata e dinë më mirë, se një pjesë e njerëzve që kanë ikur dhe janë integruar nuk mund të kthehen më. Me sa duket, ky ankth i madh demografik i kombeve të vogla dhe tkurrja e tyre po vadisin rrënjët e suksesit elektoral të populistëve kudo në Evropën Lindore. Në tre dekadat e fundit, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në tërësi kanë humbur një popullsi të barabartë me popullsinë e Hungarisë dhe Republikës Çeke të marra së bashku. Në Evropë dilema lidhet me faktin e lidhjes shqetësuese të frikës së humbjes së popullsisë dhe hapjes ndaj migrimit. Në mungesë të emigracionit në shkallë të gjerë janë disi të dënuara shtetet evropiane me mirëqenie. Ato qeveri të cilat mbrojnë kufijtë e hapur janë në telashe në shumicën e vendeve anëtare të BE-së dhe, veçanërisht në Evropën Lindore. Pra, Evropa ka nevojë dëshpërimisht për emigrantë për të ruajtur modelin e saj social, kurse votuesit nuk janë gati të hapin kufijtë, shkruan në argumentimin e tij, artikulli “Democracy, Demography and the East-West Divide in Europe”, botuar tek “Groupe d’études géopolitiques”. Teorikisht dihet se në një demokraci njerëzit tentojnë të zgjedhin qeveritë që japin opsionet e tyre më të mira, ndërkohë që gjithnjë e më shumë janë pikërisht qeveritë, që shikojnë mundësitë që ofrojnë dhe merren më shumë me komunitetet e tyre duke hartuar ligje për shtetësinë, ligjet zgjedhore dhe duke përdorur edhe praktika deri si mashtrimi dhe shtypja e votuesve. Tundimi i qeverive për të zgjedhur “popullin” është një tipar i vazhdueshëm i politikës demokratike, tashmë në momentet e ndryshimeve dramatike demografike, sociale dhe kulturore, madje mënyra se si qeveritë përpiqen të zgjedhin njerëzit e tyre po bëhet e një rëndësie kritike. Pikërisht në momente të tilla politika e migrimit dhe e nënshtetësisë bëhet çështja qendrore në politikën elektorale dhe emigranti më i mirë është ai që do të votojë për partinë në pushtet, referohet në të njëjtin artikull (Ibid). Por, neve na intereson ndikimi ekonomik në Shqipëri, ku shumica e analizave dhe të dhënave përqendrohet në efektin e largimit të fuqisë punëtore nga tregu i brendshëm, që ndikon me mungesën e vet edhe te financat publike. Ndërsa nga njëra anë, të rinjtë që janë pjesa dinamike nuk arrijnë të shtojnë fuqinë punëtore dhe të ndihmojnë në mbështetjen me kontribute dhe taksa financat publike. Nga ana tjetër, e gjithë kjo moshë është edhe ndikuesja kryesore në plakjen e popullsisë në ekonominë shqiptare, përballë një fenomeni që nuk ka përvojë në trajtim dhe nuk e ka vënë ende në fokusin e duhur për ta menaxhuar për të ardhmen (Altax, 2024). Specialistët vërejnë se një faktor shqetësues, lidhur me nivelin e papunësisë te të rinjtë në Shqipëri, e përbën edhe integrimi dy herë më pak në tregun e punës (INSTAT, 2022) krahasuar me mesataren e fuqisë punëtore, prej mungesës së duhur të aftësive që kërkon tregu, por po ashtu edhe për arsye se tregu ofron vende pune që nuk përkojnë me kërkesat dhe ambiciet e tyre për të ardhmen (Altax, 2024).
Aktualisht, 3.5 për qind e popullsisë së botës përbëhet nga emigrantë. Në vitin 2010 ishte 2.8 për qind. Pritet që këto shifra të rriten. Siç shkroi dikur filozofi dhe eseisti George Steiner, “ndërsa pemët kanë rrënjë, njerëzit kanë këmbë” me logjikën se njerëzit përdorin këmbët e tyre për të lëvizur në ato që ata i shohin si vende më të mira, ku mund të jenë në gjendje të jetojnë më mirë. Në argumentimin e mëparshëm, pasuritë më të vlefshme që posedojnë popujt e vendeve të pasura janë pasaportat e tyre. Nuk është për t’u habitur që ata (Democracy, Demography and the East-West Divide in Europe”) i frikësohen zhvlerësimit të pasaportave të tyre jo më pak sesa inflacionit. Në këtë kontekst, anëtarësimi i plotë në një shoqëri të pasur bëhet një formë komplekse e trashëgimisë pronësore: një e drejtë e vlefshme që i transmetohet – me ligj – një grupi të kufizuar marrësish në kushte që përjetësojnë transferimin e kësaj të drejte të çmuar tek trashëgimtarët e tyre. Kjo trashëgimi mbart me vete një pako jashtëzakonisht të vlefshme të drejtash, përfitimesh dhe mundësish. Nëntëdhjetë e shtatë për qind e popullsisë globale, më shumë se gjashtë miliardë njerëz, u caktohet anëtarësimi i përjetshëm qysh nga shorti i lindjes së tyre dhe ose zgjedhin ose detyrohen ta mbajnë atë ashtu. Po çfarë duhet të bëjnë vende si Shqipëria? Kjo dilemë nuk mund të zgjidhet më me propagandë nga politika e sotme aktuale e dy krahëve, por me logjikën e ftohtë, përballë një alarmi, buria e të cilit po bëhet gjithnjë e më shumë deprimuese. A po i nënshtrohen shqiptarët trendit historik të ikjeve të tyre?! Kjo do të shihet në kohët në vazhdim…, por destinit historik duket se nuk mund t’i ikësh aq lehtë (Homo Albanicus).