Gjykata e Lartë ktheu për rigjykim një nga ngjarjet në qytetin e Elbasanit, që do të ishte mbyllur si masakër, në rast se nuk do të kishte ndërhyrë një qytetar, i cili krejt rastësisht largoi nga një automjet një pako prej mbi 1 kilogramë C4.
I dyshuari që ishte dënuar nga gjykatat me 25 vjet burgim është Astrit Sinanaj, akuzuar nga prokuroria si personi që instaloi në një automjet sasinë e konsiderueshme të lëndës plasëse, të tillë që nëse do shpërthente thonë ekspertët në dosje do të kishte shkaktuar vrasjen e të gjithë personave që gjendeshin në atë perimetër.
48-vjeçari ishte identifikuar nga këqyrja e 13 kamerave të sigurisë në qytetin e Elbasanit, mbasi një sasi prej 1022 gramë C4 u zbulua majin e 2017-ës në automjetin e Fuat Verzivollit.
Ky i fundit, gjatë gjykimit tha se nuk kishte patur asnjëherë përplasje me të dyshuarin, por se ishte përdorur si karrem gjatë përplasjes së bandave në Elbasan.
“Do ikja të shikoja ndeshjen tek tregu ushqimor dhe ata donin t’i bënin dëm atyre. Qëllimi nuk ka qenë të më dëmtonin mua, por të më përdornin si postë. E ka dërguar Çapja, nuk isha shënjestra unë, isha postieri, pasi vetëm unë shkoja atje te tregu, takoja Sokol Sanxhaktarin, Suel Çelën dhe ca të tjerë”, rrëfen shënjestra.
Por prokuroria thotë se nga akt-ekspertizat tregojnë se i dyshuari e kreu telefonatën përmes të cilës telekomandohej shpërthimi që nuk u realizua, jo për shkak të tij, por mbasi një qytetar krejt rastësisht kishte parë një pako në automjet dhe e kishte larguar më herët.
Por Astrit Sinanaj këmbëngul se nuk u dëgjua nga gjykatat mbasi edhe ai kishte kërkuar ekspertizë me pretendimin se personi që shfaqet në kamerat e sigurisë nuk është ai dhe se telefoni nuk i përkiste atij.
Gjykata e Lartë çmon se për një gjykim të paanshëm duhet që një grup ekspertësh të këqyrin pamjet e sigurisë dhe t’i krahasojnë me identitetin e të dyshuarit.
Njëkohësisht me argumentin e gjykimit të paanshëm dhe mundësinë e barazisë për tu dëgjuar si për prokurorinë edhe për të akuzuarin e saj, Gjykata e Lartë orienton rigjykimin ndaj Astrit Sinanaj nga apeli, nën dritën e një debati real gjyqësor për të ndikuar në zbulimin e të vërtetës dhe dhënien e drejtësisë
I dyshuari gjatë shtatë viteve ka këmbëngulur pafajësi mbasi sipas tij nuk kishte asnjë motiv për ta vrarë biznesmenin dhe se nuk kishte asnjë provë që e lidhte atë me Çapajt, që janë kundërshtarët e grupit të Suel Çelës, i cili vazhdon të jetë në kërkim nga SPAK.