Pjetër Arbnori përjetoi burgimin më të gjatë në diktaturën komuniste. Ai u arrestua në moshën 26-vjeçare dhe u lirua kur ishte 54 vjeç.
Për 64 ditë e mbyllën në “dhomën e vdekjes”, aty ku jetoi me idenë se mund të ishte dita e fundit. Komunistët ia kishin vrarë babain kur ishte fëmijë, ndërkohë që diktatura po e dënonte edhe Pjetrin me pushkatim. Më 1942 Filipi, i ati i tij u vra në përpjekje me pritën e çetës së Teki Kolanecit, Petrit Dumes dhe Nevzat Haznedarit ndërsa më 1962 Pjetri u arrestua i akuzuar se kishte dashur të formonte një parti social-demokrate, gjë për të cilën u dënua me 25 vjet burgim. Pas tetëmbëdhjetë viteve burgim e ridënuan me 10 vite të tjera burgim. Por ai mundi t’i shpëtojë vdekjes dhe pas 28 vitesh burg, arriti të dilte i gjallë nga burgjet e diktaturës, duke treguar edhe përjetimet e atyre viteve të vështira për të dhe familjen e tij.
PËRVJETORI
Muzeu “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori, i quajtur gjithashtu “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës prej 28 vitesh kaluar në burgjet e diktaturës komuniste. Pjetër Arbnori lindi më 18 janar të vitit 1935 në qytetin e Durrësit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij dhe qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.
Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social-Demokrate, e cila u zbulua nga Sigurimi i Shtetit. Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.
ARRESTIMI
Pjetër Arbnori ishte shkrimtar, përkthyes, veprimtar politik, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (6 prilli 1992-24 korrik 1997). Ai lindi në Durrës, më 18 janar të vitit 1935. Mbaroi në dy vjet e gjysmë studimet në Fakultetin e Filologjisë. U arrestua më 27 maj të vitit 1961 përpara Degës së Sigurimit në Durrës. Gjyqi kundër grupit socialdemokrat, ku bënte pjesë dhe Arbnori filloi më 8 gusht të vitit 1962, në ndërtesën e Gjykatës së Rrethit të Tiranës. Në ditën e katërt të gjyqit, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me vdekje me pushkatim. Vendimin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës e la në fuqi edhe Gjykata e Lartë. Pas 64 ditësh në “dhomën e vdekjes”, siç quhej qelia ku mbaheshin të dënuarit me vdekje, më 13 tetor 1962, iu komunikua falja e jetës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, dhe dënimi përfundimtar me 25 vjet heqje lirie. Si pasojë e aktivitetit të tij në burg, iu shtua dënimi edhe me dhjetë vjet të tjerë për agjitacion e propagandë. U lirua në gusht të vitit 1989, pas më shumë se 28 vjetësh burg.
AKUZA
Pjetër Arbnori u arrestua më 27.5.1961 në Durrës. U dënua së bashku me shtetasit: Uran Kalakulla, Tanush Kaso, Zeqir Koçi, Kahreman Paftali, Riza Kuçi dhe Agim Musta. Me vendimin nr.113, datë 11.8.1962, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për tradhti ndaj atdheut e agjitacion dhe së bashku me Uran Kalakullën e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.121, datë 3.9.1962. Presidiumi i Kuvendit Popullor, i ktheu vendimet me vdekje me 25 vjet burgim . Më 30.1.1979, Pjetër Arbnori u arrestua duke vuajtur dënimin në Burgun e Burrelit. U hetua për 4 muaj. Me vendimin nr.37, datë 30.5.1979 Gjykata e Rrethit Mat e deklaroi fajtor për veprën e agjitacionit e propagandës brenda në burg dhe u dënua me 12 vjet të tjera burgim.
Gjykata vërente: “Është shprehur se socializmi nuk mund të triumfonte në shkallë botërore, ai mund të vendoset vetëm në vendet e varfra, apo shprehje të tjera se këta (komunistët) janë njerëz të poshtër, pa dinjitet, ndjekin vijën e Stalinit dhe sipas tij, politika që ndjek shteti ynë është politikë mashtruese… Në shkrimet e tij, i pandehuri, si një element armik që është ka shprehur tendencën e letërsisë borgjeze revizioniste. Kështu ai personazhit kryesor i shkëput nga problemet aktuale të shoqërisë dhe merret me probleme të parëndësishme në shtetit e ardhshëm, e të tjera”. Pjetër Arbnori u lirua më 3.8.1989 nga Burgu nr.321 i Burrelit.
PËRKTHIMI
Në vitet e burgut, intelektualët shfrytëzoheshin për t´i shërbyer pushtetit. Udhëheqësit donin të dinin ç´ndodhte në botë, me historinë, mendimin, letërsinë, ekonominë, politikën, shërbimet sekrete, etj. Për këtë shërbenin njohuritë e shumta të Mirash Ivanajt, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, dhe shumë eruditëve të tjerë, të cilët ishin të detyruar të përkthenin librat që iu duheshin pushtetarëve, të cilët i mbanin vetëm për vete. Ata libra nuk botoheshin për masën dhe nuk dilnin kurrë jashtë rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Një ndër të burgosurit që u detyrua të përkthente në burgun e Burrelit ishte edhe Pjetër Arbnori. Në këtë intervistë të tijën të vitit 2004 ai e shpjegon imtësisht procesin e punës së përkthimit të detyruar në burgjet komuniste. “Nëpër kampe, komisarët u porositën të pyesnin: Cili dinte gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, latinisht, greqishte të vjetër apo turqisht.
Gjuha e parë për të cilën pyetej, ishte rusishtja, por asnjeri prej të burgosurve të parë, nuk e dinte atë. Shumë autodidaktë, u vunë për ta mësuar atë me ngutje, meqë më 1949 rusishtja u bë gjuhë kryesore përkthimi. Më vonë, u zgjidh problemi thjesht: U arrestuan pas 1961 shumë prosovjetikë, që kur nuk u pushkatuan si spiunë, u vunë të shërbejnë si përkthyes nëpër biruca. Në atë kohë Akademia e Shkencave kishte mbetur pa specialistë, ministria e Arsimit kishte mbetur pa tekste. Ministria e Punëve të Jashtme pa konventa të përkthyera. Partizanët entuziastë mund të vrisnin për një minutë dhjetëra njerëz të ditur, por nuk mund të krijonin me “normë” shkollarë të përgatitur. Në fillim të vitit 1961, u arrestova dhe gjeta shumicën e brezit të vjetër të vdekur, të kaluar nga burgu në internim, apo “të lirë” që gjallonin si “mumje”, as shikonin, as dëgjonin, as flisnin për të mos përsëritur burgun që megjithatë u gjendej sebepi për t’iu futur dy herë e tri herë brenda.
Pas katër vjetëve izolim dhe dy vjetëve kamp ndërtimi, më transferuan si të pabindur e të pakorrigjueshëm në Burgun e Burrelit. Një ditë, ne që ishim më veshhollë, dëgjuam urdhrin “të gjithë brenda”, zhurmën e nallaneve që shpejtonin me ngut dhe simfoninë e shulave të rëndë që mbylleshin me kyçe. Këpucët e rënda të rojes, po afroheshin në korridor. Shikova me bisht të syrit djathtas e majtas. Nxora një palë çorape të leshta nga nënkresa dhe i vesha. Futa dy-tri shami hundësh në xhepa. Pa bërë zë, i mora një shoku një zhile të leshtë. Kërciti dera dhe u thirr emri: Pjetër Arbnori në komandë! Në të ngritur, kapa xhupin e pambuktë mes dyshekëve që ta kisha për çdo rast. Një numër oficerësh madhorë ndodheshin përballë meje në zyrë. Në qendër një zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Ndërsa mbi tryezën e ndritshme ishte një turrë librash të rinj, me kopertina të shkëlqyera botimesh të huaja.
Ju kemi sjellë për të përkthyer disa libra që na duhen. Merrini, shikojini. Kështu më thanë ndërsa unë i mora nëpër dorë. Na duhen shpejt dhe me cilësi. Do të punoni në dhoma të veçanta. Askush nuk duhet t’i lexojë, as librat, as dorëshkrimet. Ta kemi prerë, dënoheni… dhe kësisoj u futa dhe unë në rrethin e tyre”, – është shprehur vite më parë Pjetër Arbnori. Lidhur me shpërblimin që morën, ai ka treguar: “Shpërblimin a thanë që atë ditë. Do të keni racionin e bukës tetëqind gramë, një gjellë pak më të mirë, do të keni sipas normave nga dhjetë lekë në ditë shpërblim dhe nga dy ditë e shtatëdhjetë cent zbritje dënimi në muaj. Takim të zgjatur me familjen nga 20 minuta, një herë në muaj. Në banjë do të shkoni sa herë të keni nevojë. Dhoma të lira nuk kishte asnjë në Burrel. Edhe më e pakta, kishte tridhjetë vetë brenda. Në vend të dhomave, na dërguan në katër biruca. Na vunë nga një gjysmë të prerë fuçie bitumi bosh dhe qyngje sobe. Dritares së boshatisur i vunë për të parën herë nga një xham ose nga një karton; sollën nga një tavolinë, dy karrige, një tufë me letra të bardha; diku po diku jo nga një makinë shkrimi”.
LIRIMI
U lirua në vitin 1989, vit ku tashmë ndihej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si Kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej. Fama e “Mandelës së Ballkanit” tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.
Krahas angazhimeve politike, Pjetër Arbnori shkroi edhe letërsi: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj. Vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006. Pak pas vdekjes, emri i tij iu vu njërit prej institucioneve kryesore kulturore shqiptare, Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e cila që prej 25 majit të vitit 2007 jep çmimin letrar “Pjetër Arbnori”. Më 28 tetor 2011, Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (Pas vdekjes) me motivacionin: “Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar”. Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe prej vitit 1992 deri më vitin 1997 ishte kryetar i Kuvendit. Me ndihmën e tij u bë e mundur atdhesimi i eshtrave të shkrimtarit çam Bilal Xhaferri.
Në vitin 1997, Partia Demokratike tij humbi zgjedhjet ndaj Partisë Socialiste të Shqipërisë të kryesuar nga Fatos Nano, pas trazirave të shkaktuara nga rënia e skemave e piramidale, që kishte shkaktuar shkatërrimin financiar të mijëra vetëve. Për Pjetër Arbnorin shpejt u bë e qartë se ekzistonte rreziku që censura që ishte e zakonshme nën regjimin e vjetër të mund të rivendosej. Kështu, kur stacioni televiziv shtetëror nuk pranonte të transmetonte deklaratat dhe nismat e partisë opozitare, ai hyri në grevë urie. Fama e “Mandelës së Ballkanit” tërhoqi vëmendjen e shumë qeverive të botës perëndimore, mbështetja e të cilëve e detyroi koalicionin e shumicës së majtë në Parlament për të rishikuar qëndrimin e saj dhe të miratojë një garanci formale të pavarësisë së shtypit nga ndërhyrja e shtetit. Ndryshimi në ligj u njoh si “Amendamenti Arbnori”.
******
Letra e shkruar në burg nga Pjetër Arbnori
Letra e nxjerrë fshehurazi nga burgu më 2 korrik 1979, ku Pjetër Arbnori shpjegon gjithë rrethanat e arrestimit, dëshmitarëve të rremë dhe presioneve për ta detyruar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit, tashmë është e publikuar.
Në morinë e letrave të shkëmbyera me familjen, gjatë viteve të burgut, Pjetër Arbnori ka lënë edhe këtë letër, dërguar fshehurazi nga burgu nënës së tij më 2 korrik 1979, ku flet për dënimin e tij të dytë. Me dhimbje ai i jep nënës këtë lajm dhe i shpjegon të gjitha rrethanat e arrestimit dëshmitarëve të rremë dhe presioneve për ta detyruar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit. Por pas 18 vitesh burg Arbnori, kishte zgjedhur izolimin, nuk ishte dorëzuar. “Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi”, – i shkruan ai nënës në këtë letër.
LETRA E PLOTE
Burrel 2.7.1979
E dashuna Nanë,
Kuptohet që s’munde me ja shkrue qartë në letër çështjen e dënimit tim të dytë. Sot po kam rastin të nxjerr fshehtas këtë pusullë. Kishte vite që më silleshin rrotull për të më dënue. Çështja ishte e qartë: ose duhej të prishja karakterin tim dhe t’u baja keq shokëve të mi ose të shtoja vitet e mia të burgut dhe të rrija edhe ma gjatë larg teje, motrave e të gjithë të dashunve të mi. Zgjodha rrugën e dytë, ma e dhimshme, por e ndershme që edhe ti do të ma këshilloje patjetër. Më arrestuan me dëshmitarë të rremë: Jorgo Zengo, imoral, spiun, shqiptar nga Dardha që e quan veten grek; Muharrem Koliqi, kosovar që çon në qiell Serbinë, Bako Çuliqi, ish oficer sigurimi, kriminel ordiner që ka ba kërdinë ndër të burgosur kur ishte përgjegjës kampi, dhe nji magjyp nga Tetova Bajram Tahiti me katër emna e katër mbiemra që propagandonte se Maqedonia arrin deri në Elbasan. Akuzat ishin qesharake.
Ky i fundit tha për shembull se unë isha gëzuar kur Kina sulmoi Vietnamin, gjë për të cilën unë s’kisha fare dijeni sepse nga janari 1979 deri në qershor gjindesha i izoluar në hetuesi, pa gazet, pa lajme, kurse Bajrami thoshte se bisedën e paskam ba në dhomën e burgut, mes shokësh, në mars apo në prill 1979. Meqë gjyqi ishte qesharak u bë në zyrën e vogël të kryetarit të gjykatës, njëfarë Sotiraqi. Ekspert për shkrimet e mia dhe romanin tim “Shtëpia e mbetur përgjysmë” doli një farë gazetari në emrin Sofokli Afezolli i cili tha se Pjetër Arbnorit i duhet prerë dora sepse ka shkruar në burgun e Burrelit me qëllim që t’i botojë librat në Perëndim dhe të diskreditojë pushtetin popullor dhe komunizmin. Kështu nanë, mbas 18 vjetëve burgu m’u shtuen edhe 12 vjet të tjerë, por ti mos u mërzit se unë do të vij, e ti do të më pritësh shëndosh e mirë. E randësishme asht që unë të vij i ndershëm në shtëpi.
Përqafime motrave Florën e puth
Jueji Pjetri