Tiranë, 17 Korrik – Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot Planin e ri të Zhvillimit Profesional të Mësuesve dhe Sistemin e ri të Karrierës, në një konferencë kombëtare me mësues, drejtues të institucioneve arsimore dhe partnerë ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja theksoi rëndësinë e mbështetjes së mësuesve si një prioritet absolut për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), duke u përqendruar në tre çështje kryesore: Sistemi i ri i kualifikimit për mësuesit, rolet e reja të mësuesve në shkollë dhe rritjen e shpërblimeve për mësuesit.
“Ne besojmë se një sistem arsimor cilësor dhe gjithëpërfshirës duhet të fokusohet fort në investimin te mësuesit. Mbështetja jonë për mësuesit është një prioritet absolut jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në zhvillimin profesional dhe meritokracinë në sistemin arsimor,” tha Manastirliu.
Plani i ri i Zhvillimit Profesional dhe Karrierës së Mësuesve mbështetet në tri shtylla kryesore: Korniza e Karrierës, Zhvillimi i Vazhdueshëm Profesional dhe Kualifikimi i Mësuesve.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se sistemi i ri i shkallëve të kualifikimit për mësuesit është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies.
“Sistemi i ri i shkallëve të kualifikimit të mësuesve do të jetë tashmë i orientuar tek mësuesit në vitet e para të karrierës. Mësuesit të cilët hyjnë në sistemin tonë arsimor do të mbështeten për të arritur gradën ‘Mësues i kualifikuar’ në 3 vitet e para të karrierës së tyre. Kemi ulur kohën për të përfituar këtë shkallë kualifikimi. Mundësojmë që për herë të parë, në 3 vitet e para të karrierës së mësuesve, përfitimi i kësaj grade të jetë me dy elemente: Me një test të informatizuar dhe gjithashtu me orë mësimore. E dyta është shkalla e kualifikimit për ‘Mësues specialist’, të cilat do të jenë në vitin e 8 të punës së mësuesit, ku do të kemi orën e hapur kurrikulare, pra orë mësimore për projekte që do të japin këtë kualifikim tek mësuesit. Në vitin e 15-të kemi kategorinë e ‘Mësuesit Mjeshtër’, ku do të vijojnë trajnimi dhe edukimi në vazhdim, orët e hapura kurrikulare dhe inovacionin për përfitimin e kësaj shkalle të kualifikimit. Kemi rritur dhe masën e shpërblimit për të tre këto kategori, duke filluar nga shkalla e kualifikimit që është ‘Mësuesi i kualifikuar’ dhe shkalla e dytë ‘Mësuesit specialist’ ku masa e shpërblimit dyfishohet, dhe për të vijuar te shkalla e tretë ‘Mësuesi Mjeshtër’ ku masa e shpërblimit rritet me 50%,” tha Manastirliu.
Prioriteti kryesor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është mbështetja e mësuesve, në zhvillimin e tyre profesional dhe në krijimin e një sistemi meritokracie por edhe mbështetja financiare, ku që prej datës 1 korrik, për 30 mijë mësues paga është rritur mesatarisht 950 euro në muaj.
Ministrja Manastirliu vuri theksin edhe te rolet e reja të mësuesve në shkollë, ku për herë të parë shtohen dy role të reja: Mësuesi koordinator për vlerësimin e cilësisë dhe mësuesi koordinator për orientimin e karrierës, që do të jetë mentori i nxënësve për t’i orientuar ata në rrugën e mëtejshme të formimit arsimor.
“Këto role të reja janë të domosdoshme për të krijuar një sistem të vlerësimit dhe monitorimit të brendshëm, që mësuesi të punojë ngushtë me stafin drejtues të shkollës për të ndjekur ecurinë dhe zhvillimin e trajnimeve dhe rolin e mësuesit koordinator për orientimin e karrierës. Dhe nuk do të jenë pak, do të jenë mbi 800 mësues brenda sistemit që do të përzgjidhen për të kryer këto role sipas shkollave dhe grup shkollave, në varësi të grupit të nxënësve që do të orientojnë këto dy zhvillime të rëndësishme brenda shkollës dhe që i vlejnë në mënyrë direkte sistemit dhe në mënyrë direkte nxënësit, komunitetit dhe shoqërisë,” shpjegoi Ministrja Manastirliu.
Në përfundim, Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e Planit të Ri të Zhvillimit Profesional dhe Karrierës së Mësuesve në përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor në Shqipëri duke filluar që nga viti i ri shkollor.
“Ky është një investim direkt për mësuesit dhe nxënësit tanë. Jam e bindur se ky plan do të ndikojë pozitivisht në arritjet tona kombëtare dhe ndërkombëtare,” përfundoi Manastirliu.