Protestuesit izraelitë kanë bllokuar autostrada nëpër vend të dielën, duke i bërë thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu të japë dorëheqje dhe të bëjë trysni për një armëpushim për lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Demonstratat u mbajtën një ditë pasi ndërmjetësit ndërkombëtarë i ripërtërinë përpjekjet për ta ndërmjetësuar një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit.
Të shtunën, Hamasi e dha pëlqimin fillestar për një propozim amerikan për një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës, pasi hoqi dorë nga njëra prej kërkesave kryesore, thanë një zyrtar egjiptian dhe një i Hamasit për Associated Press.Vendimi i Hamasit mund të bëjë që të ketë pushim të luftimeve për herë të parë prej nëntorit të kaluar, si dhe ta hapë rrugën për bisedime të mëtutjeshme për t’i dhënë fund luftës tashmë nëntëmujore.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.