Nga Besnik Musafaj

Në fëmijëri donte të bëhej piktor, një dëshirë që ia ndryshoi pëlqimi i parë… Shkrimtari Besnik Mustafaj, i cili ka qenë edhe ambasador në Francë, deputet dhe ministër i jashtëm tregon në podcastin ‘T’pa thana’ në Gazetasi.al jetën e tij mes politikës dhe letërsisë si dhe marrëdhënien e tij me Sali Berishën.

Ai tregoj se kur ishte ende i vogël, bënte vjersha dhe poezi për t’i pëlqyer një vajze dhe ndërkohë që ky pëlqim u largua, i la dashurinë për letërsinë.

Ai tregon se ngjarjet e ’90-’91 bënë që letërsia të kalonte në plan të dytë dhe të fokusohej tek politika, cka i ‘dhuroi’ dhe miqësinë me ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Në protestën e viteve ’90, u kuptua se Berisha do të ishte kryetari, edhe për shkak se vendoste për gjëra madhore, diçka që ne të tjerët nuk e bënim”, thotë Mustafaj, i cili shton se ajo periudhë e afroi me Berishën, i cili më vonë e ftoi edhe që të bëhej ministër i jashtëm.

“Pas ndryshimit të sistemit, mu kërkua që të bëhem ministër i jashtëm sepse në atë kohë mbaja shumë marrëdhëniet me ambasadat. Unë nuk pranova. Kisha arritur gjënë kryesore, kisha arritur lirinë për të shkruar çfarë të doja. Kur refuzova, filloi një lloj presioni dashamirës që duhej të merrja një përgjegjësi. Në maj të ‘92 takova një poet meksikan që kishte fituar edhe Nobel dhe punonte si ambasador në Paris. Berisha ndërkaq më thoshte shko ambasador në Francë. Unë i them shkrimtarit se kështu po më thonë dhe më tha “Shko, do kesh kohë për të shkruajtur”.

Pas disa postesh, Mustafaj vendosi të hiqte dorë nga politika, duke u bërë dhe ndër të vetmit që mori një vendim të tillë në atë kohë. Kjo solli dhe krisjen e miqësisë së ngushtë që kishte me Berishën!

“Me Berishën kemi qenë miq të ngushtë. Në 2007 dhashë dorëheqjen nga ministri i jashtëm dhe pati një krisje. Unë kam thënë zyrtarisht se nuk punoj më me të edhe pse nuk kam ikur në mënyrë armiqësore. Që nga ikja ime në mesin e prillit dhe deri më tani unë nuk jam marrë kurrë me kritika personale me të”, thotë Mustafaj i cili tregon se në kohën kur ishte këshilltari i Berishës, ishte i vetmi që ia thoshte gjërat siç ishin dhe Berisha ia pranonte, herë me vështirësi gjithsesi.

“Shumë nga kritikat që ia bëja në konfidencialitet dikur, ia bëja më pas në gazetë publikisht”.

Pas 2007, komunikimi i tyre i parë ka qenë në 2021, kur Mustafaj i kërkoi një parathënie për librin e tij “Midis krimeve dhe mirazheve”, ku Berisha është përmendur shumë herë, por siç ishte, pa glorifikuar figurën e tij.

“Nga 2007 kam fol me të në telefon në 2021. Nuk e dija si do e merrte por i kërkova të më shkruante një parathënie për librin dhe pranoi. Pasi ma dërgoi, tha “shto ose hiq çfarë të duash”.

Mustafaj thotë se mungesa e çmimeve kombëtare vjen edhe si pasojë e përfshirjes së tij në politikë.

“Jashtë kam marr çmime shumë të rëndësishme. Në Shqipëri kam marr çmime por jo çmime kombëtare. Çdo vit jam konkurrent por deri aty. në kohën e PD-së nuk më jepnin çmime sepse thonin “është i joni ky”, ndërsa tani nuk më japin çmim sepse jam i PD-së”, thotë Mustafaj i cili tregon se jeta politike nuk i mungon aspak dhe i vetmi shqetësim i tij është nëse do i dalë koha që të shkruajë më shumë.

“Shkrimi është vetmi. Nuk është e bukur jeta e shkrimtarit. Është një mundim të kalosh shumë kohë në vetmi”, thotë Mustafaj, duke iu përgjigjur pyetjes nëse bashkëshortja e tij e shoqëron ndërsa ai shkruan.