Kryeministri Edi Rama ftoi sot të gjithë ata që duan t’i bashkohen Partisë Socialiste që të aplikojnë në platformën “Deputeti që Duam”.
Rama shprehet se kjo platformë është “dera e re e Partisë Socialiste, për të gjithë ata që duan të na bashkohen për Shqipërinë 2030”.
“Idetë e reja, njerëzit dinamikë me guxim dhe vendosmëri do ta çojnë Shqipërinë vetëm përpara. PS ju fton në platformën inovative ‘Deputeti që duam’. Apliko tani për t’u bërë pjesë e ndryshimit, pjesë e përfaqësimit, për profesionistët, për gratë, për diasporën, për rininë”, thuhet në një video të ndarë nga Rama.
Risia e kësaj platformë për këto zgjedhje është mundësia që u jepet kandidatëve të vendosin theksin tek një temë që e kanë përzemër, e cila mund të jetë një çështje që kandidati mendon se PS nuk e ka trajtuar sa dhe si duhet. Kandidatët, gjithashtu do të kenë kohë për t’u angazhuar edhe në terren dhe në rrjetet sociale për të treguar aftësitë e tyre komunikuese, organizative, bashkëvepruese me ndjekësit që do të bëjnë për vete gjatë këtij procesi.
Një tjetër risi e kësaj platforme është edhe opsioni konfidencial i cili i lejon mundësinë e aplikimit të gjithë atyre që janë të angazhuar në organizata ndërkombëtare apo kanë angazhime të larta në sektorin privat në Shqipëri apo jashtë vendit. Ky opsion u jep atyre kohe për të pjekur mendimin e angazhimit publik duke testuar seriozitetin e kësaj platforme.
Aplikimi është fare i thjeshtë përmes faqes deputetiqeduam.al dhe përmban një formular të thjeshtë, jetëshkrimin e kandidatit, dy letra reference nga dy mbështetës të kandidatit dhe një video e shkurtër e regjistruar nga vetë kandidati.