Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me sipërmarrësit, dhe me drejtuesit e shkollave profesionale në vend.
Rama tha se qeveria do të krijojë Fondin Kombëtar të Aftësimit, një fond i cili do të shkojë për kapitalin njerëzor. Ai i bëri thirrje bizneseve, kryesisht në fushën e turizmit, të investojnë në kapitalin njerëzor.
“Shembulli tjetër që dua të sjell se çfarë do të thotë prespektiva. Gjermania ta jep prespektivën, shef aty, si qenka, po shkoj dhe unë. Por çfarë prespektive mund të perceptojë një student që shkon në konviktin e Burrelit, apo një tjetër.
Ne po bëjmë një investim masiv te konviktet, dhe konviktet e arsimit profesional duhet të jenë dhe vendet ku ata që studiojnë për Hoteleri, të bëjnë edhe menaxhimin. Kushtet që duhet të sigurojmë është që fëmija kur vjen nga fshati, ta ketë më të mirë dhomën se sa e la atje. Nëse nuk u frymëzua, po marr rrugën, e po iki në Gjemrani, thotë ai”, tha Rama.
Rama tha se qeveria do të investojë në konviktet profesionale në vend.
“Kështu që të gjithë së bashku t’i japim një shtysë të re këtij procesi. Edhe me këtë fondin që do të bëjmë, do ua marrim ne paratë. Dhe do t’i kthejmë në investim për kapitalin njerëzor. Këto janë vitet më sfiduese për turizmin. Rastet e vendeve që u ka ndodhur efekti i kundërt pasi janë bërë vende trendi, nuk janë pak. Dhe ne nuk duhet të jemi një nga ato vende, do të ishte katastrofë.
Duhen edhe njerëzit që shërbejnë aty, nuk mjaftojnë vetëm kushtet. Si shpjegohet që në shumë hotele prestigjoze nuk ka kamarierë të rinj, ata janë aty prej 30 vjetësh si zotërinj të shtëpisë. Para disa kohësh, roja i derës me kostum në Angli ishte 70 e ca vjeç, dhe më tha nuk më lënë të iki në pension. Janë figura të kësaj industrie, nuk janë “hajde se po të marr kamarier”‘, tha ai.
Në fund, Rama dha edhe një shembull për të rinjtë, që sipas tij nuk duhet të heqin dorë dhe të demoralizohen.
“Shumë nga ata kanë bërë shkolla të tjera, por nuk është se u hap rruga, mbarove universitetin dhe direkt po të presin ty. Kate Winslet, fitoi Oscar me Di Caprio me Titanikun, por pasi mbaroi një nga shkollat më të mira për aktrim, punonte në sallameri dhe shkonte punonte për të marrë role”, përfundoi Rama.